Ish-presidenti Hashim Thaçi është përmendur si një prej figurave politike në Kosovë që ka lidhje me krimin e organizuar dhe me korrupsionin e nivelit të lartë.
Raporti i sivjetmë i “Freedom House”, krahas Thaçit, që aktualisht ndodhet në Hagë, për lidhjet me krimin e organizuar dhe për korrupsion ka potencuar edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Korrupsioni dhe klientelizmi shpesh bëjnë presion mbi zgjedhjet e votuesve gjatë zgjedhjeve. Biznesmenët e fuqishëm në Kosovë mund të ndikojnë në zgjedhjet politike të punonjësve të tyre. Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim në platformën e Listës Serbe, si dhe në zgjedhjet politike të serbëve etnikë në përgjithësi. Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë role të fuqishme në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç”, thuhet në raport.
Në ndërlidhje me krimin e organizuar, emri i Thaçit ishte përmendur në pesë raportet e fundit të organizatës.
Si të pasaktë e ka kategorizuar raportin e fundit nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo ka thënë se raportet e tilla, që i ka vlerësuar si “pa burim informacioni e pa asnjë fakt të vetëm” mezi i pret Prokuroria në Hagë, ashtu që udhëheqësit e UÇK-së t’i lërë edhe më tej në paraburgim.
“Presidenti Thaçi pothuajse dy vjet po mbahet padrejtësisht në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, duke iu mohuar e drejta për mbrojtje në liri. Duke mos qenë as fizikisht në Kosovë e aq më pak politikisht aktiv, do të doja që ta dija formulën magjike që sipas raportit në fjalë z. Thaçi e paska përdorur për të zgjedhur e emëruar njerëz në Kosovë. Për më tepër, çdo vizitë dhe çdo telefonatë e zotit Thaçi është e monitoruar”, ka thënë Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së.
KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga ish-kryeministri Haradinaj, porse as ai dhe as zyrtarët nga partia e tij nuk kanë qenë të qasshëm gjatë të mërkurës.
Në raportin e “Freedom House” Kosova në rrafshin e luftimit të korrupsionit është vlerësuar me vetëm një pikë, nga katër gjithsej.
“Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t'i luftuar ato është i dobët. Mandatet e katër organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe ato kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre. Autoritetet kanë treguar pak përkushtim në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht dënimet janë të rralla”, thuhet në raportin e “Freedom House”
Si problematikë që nuk ka gjetur zgjidhje, sipas “Freedom House”, mbetet ndërhyrja e politikës dhe korrupsioni i përhapur në gjyqësor.
“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshme karshi ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke e minuar procesin e rregullt ligjor”, thuhet tutje në raport.
“Freedom House” përmend edhe ndikimin e Serbisë në veri dhe ngecjen e procesit të bisedimeve të nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë.
“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prani të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit. Megjithëse një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja, filloi në qershor kur Kurti u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nuk u bë asnjë përparim thelbësor në normalizimin e marrëdhënieve kosovaro-serbe para se procesi të ngecë përsëri në korrik. Anëtarët e opozitës kritikuan pjesëmarrjen e Kurtit në bisedime, duke pretenduar se ai nuk e kishte përfshirë në mënyrë adekuate Kuvendin në proces. Kapja e shtetit është një çështje e spikatur dhe shpesh është rezultat i klientelizmit – dhënies së paligjshme të favoreve zyrtarëve nga individë ose grupe të pasura, nëse zyrtarët ndjekin interesat e atyre që i shpërblejnë”.
Në raport Qeveria kritikohet për transparencë të kufizuar në procesin e dialogut dhe në moskonsultimin me Kuvendin.
Me gjithë progresin e shënuar në sferën e demokracisë, Kosova është radhitur sërish në grupin e qeverisjeve hibride apo demokracive tranzicionale.
Në vlerësimin prej 1 deri në 7 pikë, që është më e larta, raporti potencon se Kosova ka shënuar përparim të lehtë nga 3.14 pikë, sa i kishte një vit më parë, në 3.25 pikë.