Ngritje të lehtë të përgjithshme ka shënuar Kosova në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2022, por ngecjet kanë mbetur te luftimi i korrupsionit e pavarësia e gjyqësorit. Edhe pse në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është etiketuar si një nga figurat politike në Kosovë që ka lidhje me krimin e organizuar e korrupsionin e nivelit të lartë. Pos tij, është edhe emri i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj që përmendet për lidhje të tilla.
Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e qeverisjes hibride/demokraci tranzicionale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë, Kosova shënoi një përparim nga 3.14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25, shkruan Zëri i Amerikës.
Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.
Në raportin për lirinë në botë, Kosova ka shënuar ngritje të lehtë në 56 pikë, nga 54 sa ishte në raportin e vitit të shkuar. Në raportin e përgjithshëm ngritje prej dy pikësh ka pasur në platformën e të drejtave politike, ndërsa i njëjtë vlerësimi ka mbetur për liritë civile.
Në përmbledhjen kryesore për Kosovën, “Freedom House” ka theksuar se vendi ka mbajtur zgjedhje kredibile, por ka shtuar se institucionet mbesin të dobëta dhe se korrupsioni i shfrenuar ka shkaktuar mosbesim të thellë publik ndaj Qeverisë; se gazetarët përballen me presione serioze dhe rrezikojnë të sulmohen për raportimet e tyre; dhe se sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrja e ekzekutivit në gjyqësor.
Te zhvillimet kryesore për vitin e shkuar, “Freedom House” ka përmendur fitoren e Vetëvendosjes me mbi 50 për qind në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit. Sa i përket dialogut me Serbinë, është përmendur ngecja që nga korriku i vitit të shkuar kur s’ka pasur më takime mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Zgjedhje të drejta dhe të lira i ka cilësuar edhe ato lokale në fund të vitit.
Procesin zgjedhor e ka vlerësuar me 3 pikë nga 4. Dallimi në krahasim me vitin e shkuar ishte ngritja për një pikë, sepse, sipas “Freedom House”, zgjedhja e kryeministrit të ri dhe presidentes u bë me procedura normale pas zgjedhjeve të përgjithshme të lira. Njëjtë është vlerësuar edhe zgjedhja e deputetëve. Te çështja e administruesve të zgjedhjeve është përmendur akuza ndaj presidentes Vjosa Osmani se po dështon të sigurojë pavarësinë e KQZ-së.
Në raport është shkruar edhe për Listën Serbe që është akuzuar se i kërcënon partitë rivale dhe po krijon ambient ku votuesit frikësohen të zgjedhin alternativa tjera.
Me pikë maksimale është vlerësuar çështja se a ka shanse reale opozita që të rrisë përkrahjen përmes zgjedhjeve.
“Korrupsioni e klientelizmi shpesh bëjnë presion për votë. Biznesmenët e pasur në Kosovë mund të kenë ndikim në zgjedhjet politike të punëtorëve të tyre. Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim me platformën e Listës Serbe, si dhe të zgjedhjeve politike të serbëve etnikë në përgjithësi. Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhet në raport për çështjen se “a janë zgjedhjet politike të njerëzve të lira nga forcat dominuese?”. Kjo çështje është vlerësuar me dy nga katër pikët e mundshme. Raporti për këtë çështje është i njëjtë me atë të vitit të shkuar.
Po aq pikë ka marrë edhe çështja e lirisë së komuniteteve të ndryshme, përfshirë atë LGBT, në të drejtat e plota politike dhe mundësitë elektorale.
Te funksionimi i Qeverisë, “Freedom House” ka thënë se sistemi politik i Kosovës në vazhdimësi është karakterizuar me joqëndrueshmëri. “Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, kohë pas kohe ka ngecur të implementojë platformën e orientuar me reforma”, thuhet në raport. Te vlerësimi me 2 prej 4 pikëve, raporti thekson ndikimin e Serbisë në veri të Kosovës, por i kujton edhe ndikimet ruse, kineze e turke në proceset qeverisëse gjatë viteve.
Me vetëm 1 pikë nga 4 të mundshme është vlerësuar pyetja se “a janë të fuqishme dhe efektive masat kundër korrupsionit?”
“Korrupsioni dhe shteti i kapur janë të përhapura, dhe korniza institucionale për t’i luftuar është e dobët”, ka thënë raporti që vazhdon se ka vështirësi në organet kryesore kundër korrupsionit të koordinojnë përpjekjet e se ka pak raste kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht.
Te transparenca e Qeverisë vlerësimi është bërë me 2 nga 4 pikë. I njëjti vlerësim është bërë edhe te liria e medias, ajo e praktikimit të fesë e lirisë së sistemit edukativ nga indoktrinomi politik.
Liria e Kuvendit është vlerësuar me 3 nga 4 pikë, aq sa edhe liria e organizatave joqeveritare.
“Sa është i pavarur gjyqësori?” është vlerësuar me vetëm një pikë për shkak të “ndërhyrjeve politike që mbesin problem”. Me të njëjtin rezultat ishte vlerësuar edhe në raportin e vitit të shkuar.
Nga vendet e rajonit gjendja është përkeqësuar në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, situata është e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar.
Që nga viti 1995, raporti i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion ka vlerësuar gjendjen e demokracisë në 29 vende, që shtrihen nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.
Organizata e bazon vlerësimin në shtatë kategori, siç janë procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor dhe pavarësia e tij, si dhe korrupsioni. Vlerësimi bëhet nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe me 7 vlerësohet niveli më i lartë i saj.