Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pati sot një bisedë telefonike me raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, me të cilin diskutoi hapat e ardhshëm për procesin e liberalizimit të vizave duke pasur parasysh faktin se tashmë i gjithë procesi është në duart e institucioneve të BE-së pas plotësimit të kritereve nga ana e Kosovës.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Hoxha e informoi Sholtesin se Kosova është duke vazhduar reformat dhe zbatimin e MSA-së dhe kërkoi që procesi i vendimmarrjes sa i përket liberalizimit të vizave të përshpejtohet, transmeton Koha.net.
Ajo theksoi se, “qytetarët e Kosovës e kanë të qartë se janë në prag të liberalizimit të vizave dhe po presin me padurim lëvizjen e lirë”. Ajo po ashtu e njoftoi Raportuesin për Kosovën për fushatën e vetëdijesimit për liberalizimin e vizave të cilën e ka filluar Ministria e Integrimit Evropian, me theks të veçantë informimin e qytetareve sa i përket asaj se çka nënkupton liberalizimi i vizave si dhe sanksionet që mund të pasojnë në rast të keqpërdorimit.
Hoxha ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të institucioneve të vendit në mënyrë që procesi i vendimmarrjes të jetë sa më i shpejtë dhe pritshmëritë e qytetarëve për lëvizjen e lirë deri në fund të vitit të plotësohen.
Në anën tjetër, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Sholtes siguroi se ka mbështetjen e plotë për të përshpejtuar vendimmarrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sholtes, po ashtu njoftoi për takimin e Komitetit LIBE më datën 29 gusht, ku liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë në agjendë dhe është optimist që do të marrë dritën e gjelbër për të ecur tutje.
-
Liberalizimi i vizave për Kosovën në agjendën e Komitetit LIBE më 29 gusht
-
Hoxha: Zhgënjyese nëse ndërlidhet liberalizimi me vazhdimin e dialogut
-
Hoxha pas zgjedhjeve në BE: Presim vendim sa më të shpejtë për lëvizjen e lirë
-
Hoxha: Kemi nevojë për mbështetjen e BE-së për liberalizim
-
Qeveria e Kosovës nuk e di çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave