Arbëri

Hovenier dënon djegien e veturave me targa RKS në veri, kërkon shtyrje të vendimit

Akt kriminal dhe frikacak e ka quajtur ambasadori i Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, djegien e veturave me targa RKS në veri. Mirëpo, ka bërë thirrje edhe një herë që zbatimi i vendimit për konvertimin e targave të shtyhet.

Përmes një shkrimi në Twitter të mërkurën, Hovenier ka thënë se SHBA-ja “dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës”.

“Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka thënë ai.

Por ritheksoi se kërkesa e SHBA-së është që zbatimi i vendimit për të konvertuar targat ilegale në RKS të shtyhet për 12 muaj. Shtoi se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ndryshimin e targave.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një personi të komunitetit serb në Zubin Potok iu dogj vetura pasi vendosi të konvertonte targat ilegale në RKS. Edhe dy vetura të tjera në Leposaviq u dogjën pasi kishin vendosur t’i konvertonin targat.

Sipas Ministrisë së Brendshme, deri më 31 tetor - 20 pronarë veturash kanë shfrytëzuar afatin për t'i kthyer targat nga ilegale në RKS.