LAJMET E MBRËMJES

Digjet edhe një veturë me targa RKS në veri

Edhe një konvertim i targave ilegale në RKS, në mesditën e së martës ka përfunduar me djegie të veturës në veri të Mitrovicës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur në komunën e Zveçanit, ku në pikë të ditës, një qytetareje serbe i është djegur vetura.

Bazuar në raportimet e Policisë, djegia e kësaj veture përbënë rastin e pestë në dy muajt e fundit, kur persona të panjohur u kanë vënë zjarrin pronave të qytetarëve të veriut që i janë bindur vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthyer targat ilegale që Serbia i lëshon në emër të qyteteve të Kosovës në ato të ligjshme, RKS.

Para një jave një veturë tjetër me targa të konvertuara në RKS ishte djegur në komunën e Zubin-Potokut, e në fund të tetorit dy djegie të tjera u raportuan në Leposaviq. Policia ka thënë se po punon për t’i zbardhur këto raste.

“Lidhur me rastin nuk raportohet për ndonjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet, përderisa Policia e Kosovës ka ndërmarr veprimet e nevojshme operativo-hetimore. Policia e Kosovës do të kujdeset në ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe zbulimin e akteve të tilla kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pas suspendimit të drejtorit të policisë për rajonin e Mitrovicës veriore, Nenad Gjuriq, shkaku i refuzimit për ta zbatuar vendimin e qeverisë për targat, Lista Serbe ka vendosur të dalë nga institucionet lokale e qendrore.

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia. Bëhet fjalë kryesisht për targat KM (Mitrovica e Kosovës) dhe vendimi është që ato të konvertohen në targa RKS, përmes tri fazave. Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në përdorim duhet të jenë vetëm targat RKS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 7 nëntor se pavarësisht ngjarjeve të fundit, puna e institucioneve në veri vazhdon. Ai theksoi se, ditëve të fundit, janë shtuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar situatën në Kosovë. Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin vendet e punës në institucionet e Kosovës, sepse në këtë mënyrë, sipas tij, dobësohen shërbimet dhe mbrojtja e qytetarëve.