Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se në “Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euroatlantikë”.
Hoti i ka thënë këto gjatë një takimi me ish-zëvendësshefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph.
“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante. Ia dhashë vlerësimet e mia se: (1) Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euro-atlantik; (2) Kosova ka bërë progres në të kaluarën vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët; (3) Për dallim nga Serbia, Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euro-atlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër; (4) Në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euro-atlantik, ngase Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Bashkimi Evropian ka njoftuar për masa të ndërmarra ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve në veri.
BE-ja ka vendosur disa pika për shtensionim të situatës në veri, ndërsa është thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka ndërmarrë ato për ta shtensionuar situatën.
BE-ja kishte thënë se disa nga masat janë ndërmarrë tashmë, e disa ende po diskutohen. Ishte thënë se masat janë të përkohshme. Po ashtu edhe SHBA-ja mori masa, duke e larguar FSK-në nga stërvitja "Defender Europe '23".