Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Mbrojtja e vendeve fetare dhe kulturore është në traditën tonë

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova përfaqëson mozaik të kulturave dhe etnive të ndryshme.

Ai ka shtuar se populli i Kosovës i ka mbrojtur vlerat e etnive dhe religjioneve brenda vendit për shekuj me radhë, duke shtuar se kjo është në traditën tonë.

“Kosova është një mozaik i kulturave dhe feve të ndryshme. Vendet fetare dhe kulturore të të gjitha etnive dhe besimeve në Kosovë janë vlera dhe kujtesa e përbashkët e shoqërisë sonë dhe kanë mbijetuar për shekuj për shkak të mbrojtjes nga njerëzit e Kosovës. Ky është një angazhim i rrënjosur në traditën tonë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka kërkuar të shtunën që të ndalën punimet në rrugën R108 që prek zonën e Manastirit të Deçanit, për herë të dytë. Fillimisht ishte përfaqësuesi i manastirit, Sava Janjiq që reagoi për punimet e më pas edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kërkoi nga BE-ja të bëjë presion për ndaljen e tyre.

Ndalja e punimeve pas kërkesës së Hotit është kritikuar nga partneri qeverisës dhe kryetari i komunës së Deçanit.