Arbëri

Reagime pas ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Punimet në rrugën tranzitore Deçan-Plavë, brenda zonës speciale të mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit, u ndalën të shtunën për herë të dytë. Kjo u bë me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti.

Ishte fillimisht përfaqësuesi i këtij manastiri, Sava Janjiq, që reagoi për punimet, e më pas edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili kërkoi nga BE-ja të bëjë presion të fortë për ndaljen e tyre.

Por, pavarësisht se ndalja e punimeve u bë me kërkesë të kryeministrit, nga AAK-ja që është partnere e koalicionit nuk po pajtohen.

Deputetja Teuta Haxhiu konsideron se kërkesa për ndaljen e punimeve në këtë kohë është e pakuptimtë dhe politike.

Haxhiu nuk e komentoi pyetjen nëse AAK-ja do të bisedojë për këtë çështje me partnerin e koalicionit, apo nëse kjo do të ndikojë në krisjen e mëtejme të raporteve.

E reagime të shumta për çështjen e këtyre punimeve ka pasur edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Sipas tij, ndërtimi i kësaj rruge nuk bie ndesh me Ligjin e zonës së veçantë dhe se shkeljet e vërteta në këtë rast i ka bërë vetë Manastiri.

“Rruga është objekt i cili nuk i bën dëme Manastirit, si dhe rinovimi i saj nuk bie ndesh me Ligjin e zonës së veçantë në çka thirret përfaqësuesi i Manastirit. Nëse dikush ka bërë shkelje, është vetë Manastiri i cili ka lëshuar pëlqim për ndërtimin e objektit industrial të hidrocentralit mu pranë mureve të Manastirit”.

Ndërsa, sipas njohësit të zhvillimeve politike, Belul Beqaj, rasti me rrugën Deçan-Plavë, por edhe hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë, tregon se palët nuk janë të gatshme për një marrëveshje.

Ndryshe, fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë, rrugë kjo që lidh rajonin e Dukagjinit me Plavën dhe Gucinë, kishte filluar më 2018.

Dy vjet më herët, Gjykata Kushtetuese, pas një beteje të gjatë, ia kishte njohur të drejtën e pronësisë së mbi 20 hektarëve tokë manastirit ortodoks.

Kosova dhe Serbia do të ulen për bisedime më 2 shtator në Washington, kurse temë diskutimi pritet të jenë kryesisht çështjet ekonomike.