Arbëri

Hoti: Liberalizimi i tregut të energjisë do të sjellë pasoja të mëdha

Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.

Sipas tij, kjo gjendje është e pakuptimtë.

Ka shtuar se do të duhej të mbaheshin konsultime e të bëheshin shumë përgatitje dhe  se vendimi do të duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve.

“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë”, ka potencuar Hoti.

Ka thënë se brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.

“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka deklaruar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike nuk mund të shtyhet.

ZRRE-ja sqaroi se afati 60-ditor i furnizimit të përkohshëm do të përfundojë më 30 korrik.

Ndërkaq bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.