Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur pesë sektorë që sipas tij janë në krizë në Kosovë, e të cilat siç ka thënë, Qeveria nuk po i trajton si duhet.
Hoti përmes një postimi në Facebook, të martën, e ka përmendur krizën me grevën në arsim, krizën në shëndetësi, në politikën e jashtme, në ekonomi dhe dialogun të cilin e ka quajtur “udhë pa krye”.
“Një muaj nxënësit rrinë në shtëpi. Në vend që të dialogohet 24 orë deri të gjendet zgjidhja, qeveria bënë luftë me sindikata. Shtyhet ligji i pagave pa nevojë, por as nuk plotësohet kërkesa e sindikatave për 100 euro shtesë në muaj, edhe pse e realizueshme në aspektin buxhetor”, ka shkruar Hoti. “Krizë mbi krizë deri te rënia e qeverisë”.
Sa i përket shëndetësisë, ai ka thënë se ministri aktual është pothuajse jo-ekzistent.
“Ministri i Shëndetësisë është non-ekzistent, ai është ministër me korrespondencë. Si rezultat, Kryeministri merr përsipër detyrat e ministrit duke kryesuar vetë një komision qeveritar për shëndetësi”, ka shkruar më tej Hoti.
Për politikën e jashtme, Hoti ka kritikuar mosardhjen e asnjë njohjeje të re për vendin dhe mungesën e stafit esencial nëpër ambasada të Kosovës. Për ekonomi, ish-kryeministri ka thënë se Qeveria nuk po di të përballet me inflacionin.
Sa i përket dialogut, Hoti ka thënë se vendin e deklaratave të Kurtit se nuk ka dialog pa kërkim falje dhe të tjera të ngjashme, e kanë zënë darkat e përbashkëta.
“Përveç një togfjalëshi absurd se “njohja duhet të jetë në qendër”, (pse jo në lindje apo perëndim, në të djathë apo në të majtë, në fillim apo në fund?), që përsëritet pa pushim, tjetër parim të dialogut nuk ka. Askush nuk di se çfarë po bisedohet. I kanë sharë marrëveshjet e mëparshme, e tash ato dolën që janë të duhura për të vendosur sovranitetin shtetërorë në tërë territorin. Deklarimet e forta se: nuk ka dialog me Serbinë por me serbët lokal, se nuk ka dialog pa kërkim falje, nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve e të tjera, u harruan plotësisht. Vendin e tyre e zunë darkat e përbashkëta”, ka përfunduar Hoti.