Arbëri

Hoti “këshillon” Qeverinë: Veprimet që nxjerrin Kosovën nga kurthi i Serbisë

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ia ka dhënë “katër këshilla” Qeverisë së Kosovës se “si të nxirret Kosova nga kurthi i Serbisë”.

Janë bërë gati 20 ditë që kur serbë lokalë në veri kanë vendosur 13 barrikada për të bllokuar rrugët që çojnë në kufirin me Serbinë. Nga e marta është mbyllur edhe pika kufitare në Merdar pas bllokadës në territorin e Serbisë. Të bllokuara janë edhe Jarinja e Bërnjaku. Qeveria ka thënë se po pret që KFOR-i të intervenojë për t’i hequr barrikadat. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se heqja e barrikadave është “çështje ditësh”.

Hoti ka shkruar në Facebook të mërkurën në mëngjes katër veprimet që, sipas tij, do ta nxirrnin Kosovën nga kurthi i Serbisë.

“1. Hiqni barrikadat në veri në bashkëpunim me KFOR-in. I keni lënë të zënë vend tepër gjatë. 2. Kërkoni me ngulm nga BE-ja dhe SHBA-ja të bëjnë presion tek Serbia të mos pengohen dhe të mos rrezikohen qytetarët tanë që kalojnë nëpër Serbi. 3. Ruajeni paqen fuqishëm. Tregoni gatishmëri për dialog dhe zgjidhje paqësore. Dëgjoni këshillat e miqve për veprimet që duhet ndërmarrë në kuadër të dialogut. 4. Mos përmendni luftë e konflikte. Luftën e kemi paguar shtrenjtë, por e kemi fituar me ndihmën e miqve. Rreziku është të humbim në paqe për shkak të humbjes së mbështetjes nga miqtë tanë”, ka thënë Hoti.