“E para, reduktimi i pranisë së policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; E dyta, qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryerësve të dhunës dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut”, ka numëruar Kurti hapat e propozuar
Kryeministri Albin Kurti i ka shpalosur katër hapa për të cilët ka thënë se Kosova është e gatshme që t’i ndërmarrë në funksion të shtensionimit të situatës në veriun e banuar kryesisht me serbë, porse ka shtuar që nga Serbia e pret jetësimin e katër të tjerave.
Kurti, nëpërmjet një videomesazhi të publikuar të enjten në gjuhën angleze, ka bërë të ditur se të tetë hapat e prezantuar i janë propozuar edhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë takimeve të fundit në Bruksel.
“E para, reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; E dyta, qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryerësve të dhunës dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut”, ka numëruar Kurti hapat e propozuar.
Ai ka shprehur po ashtu gatishmërinë e Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, si dhe atë për dorëzimin e autoritetit të kryetarëve aktualë tek të rinj që do të zgjidhen.
“Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje, i përkrahur nga të paktën 20 për qind e elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga presidentja. Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave, pas certifikimit nga KQZ-ja, në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, ka thënë ai.
Por në funksion të uljes së tensioneve në veri, Kurti ka thënë se edhe Serbia duhet që t’i ndërmarrë katër hapa. Mes tyre, ai ka numëruar tërheqjen e protestuesve nga objektet komunale dhe mospengimin e qytetarëve dhe partive politike për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjeve të reja lokale.
“Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë; Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 bazave të përparme operative që ndodhen përgjatë kufirit”, ishin hapat e tjerë që Kurti ka kërkuar që t’i ndërmarrë Serbia.
Prezantimin e këtyre hapave, kryeministri Kurti e ka bërë dy ditë pasi që Bashkimi Evropian (BE) i prezantoi masat që do të ndërmerren ndaj Kosovës, si ndëshkim për mosadresimin e kërkesave të ndërkombëtarëve.
Gert Jan Koopman, drejtori i përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, ka paralajmëruar të martën se ndaj Kosovës do të merren një sërë masash. Në mesin e tyre janë numëruar pezullimi i programit të fondeve për Kosovën, pezullimi i pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, si dhe pezullimi i vizitave dypalëshe.
“Autoritetet e Kosovës nuk u janë përgjigjur këtyre kërkesave, fatkeqësisht. Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së në kuptimin e organeve të stabilizim asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave po ashtu do të pezullohen. Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen”, ka deklaruar Koopman.
Por me gjithë masat e Komisionit Evropian, Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të enjten ka thënë se Kosova nuk është e hidhëruar dhe se e përbën aleatin dhe partnerin më të qëndrueshëm të vlerave evropiane në rajon.
“Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka Qeverinë. Të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë. Në raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinikë e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot”, ka thënë ai. E Komisionit Evropian ia ka kujtuar raportin e fundit të tij për Kosovën, si dhe aplikimin e bërë në dhjetor për anëtarësim në BE.
“Raporti i fundit për vendin tonë, i hartuar pikërisht nga Komisioni Evropian, e përshkruan dhe vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizës ligjore në përputhje me Acquis të Bashkimit Evropian. Aty e gjejmë hijen e vërtetë të Bashkimit Evropian; si organizëm mbikombëtar, i drejtë e meritokrat”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se me gjithë “zhvillimet rrethanore, Kosova e vlerëson përkrahjen dhe ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve”.
E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se “Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot” dhe se “me Kurtin, Kosova nuk bëhet shtet evropian”.
“Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën. Kosova ka një rrugë të re. Një që e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një që fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim. Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ndërkaq e ka paralajmëruar prezantimin e një plani për daljen nga kriza.
“Ditëve në vijim, do të ftoj akterë të shoqërisë civile, Akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për ta ndërtuar rrugën e vërtetë. Do t’ua prezantoj dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës”, ka shkruar Abdixhiku.
Javën e shkuar, Bashkimi Evropian ka ftuar për takim liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Por, përfaqësuesi i lartë, Borrell, nuk ka arritur që gjatë takimeve të ndara t’i ulë në një tryezë kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pasi që ai e ka refuzuar mbajtjen e një takimi trepalësh në prani të shefit të ekzekutivit të Kosovës.