Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti e Haradinaj-Stublla përshëndesin zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë se Veriut

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Në mesazhin e urimit të kryeministrit Hoti, ndër të tjera, ka shprehur urimet e tij më të sinqerta kryeministrit Zoran Zaev, kabinetit të tij qeveritar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Jam i bindur se marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, në bazë të marrëdhënieve historikisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve tona dhe dy popujve tanë. Qeveria e Kosovës, dhe unë personalisht, mezi presim që të punojmë me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ne jemi të vendosur të përqendrohemi sidomos në rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral ekonomik që duhet të përputhet me marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike ndërmjet të dy vendeve tona”, thuhet në urim.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ka shprehur urimet më të përzemërta për homologun e ri nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, me rastin e emërimit të tij në postin e ministrit të jashtëm të këtij shteti.

“Kënaqësia është edhe më e madhe, në këtë moment historik, kur një shqiptar emërohet për herë të parë Ministër i Jashtëm në Maqedoninë e Veriut”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.

Ndërsa ka shtuar se “kam besimin e madh se 3 ministra të Jashtëm shqiptarë në rajon, do bëhemi forcë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, dhe zë i fuqishëm i të vërtetës së shqiptarëve ndër shekuj. Pres me padurim të fillojmë bashkëpunimin tonë dhe të avancojmë vizionin e përbashkët Euro-Atlantik. Urime!”, ka thënë ministrja Haradinaj-Stublla.