Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është e rëndësishme që komuniteti serb në Kosovë ta shohë patriarkun Porfirije, duke shtuar se shpreson që situata e ndalimit të tij të mos përsëritet në të ardhmen.
Patriarkut Porfirije iu ndalua hyrja në Kosovës të hënën. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i vuri kushte patriarkut për të hyrë në vend. I kërkoi që të dënojë apo distancohet nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po u ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës” të cilët janë “përgjegjës për barrikadat” e ngritura në veri të Kosovës.
Sipas Hillit, askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk do ta kundërshtonte të drejtën e patriarkut për të hyrë në Kosovë. E konsideron si diçka themelore për liritë fetare.
“Para së gjithash, mendoj se është e rëndësishme që komuniteti serb të mund ta shohë patriarkun. Mendoj se kjo është diçka themelore - për liritë fetare atje. Nuk besoj se do të gjeni dikë në bashkësinë ndërkombëtare që kundërshton të drejtën e patriarkut për të hyrë në Kosovë dhe për t'u takuar me besimtarët. Ky është qëndrimi ynë dhe shpresoj që kjo të mos ndodhë më”, ka thënë Hill të martën për mediumin serb Nova.