Arbëri

Hill: Ngjarja në Banjskë s’i ndihmon as Serbisë e as serbëve në Kosovë, Beogradi të kryejë hetim serioz

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, teksa ka kërkuar që Beogradi zyrtar të kryejë hetim serioz mbi ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur nuk i ndihmon as Serbisë e as serbëve në Kosovë.

I pyetur për masat e mundshme ndaj Serbisë pas sulmit të fundit në veri, Hilli ka përsëritur se është e nevojshme të vërtetohet fillimisht se çfarë ka ndodhur.

“Kur bëhet fjalë për masat kundër Serbisë, është e qartë se ekziston dëshira për të zbuluar se çfarë ndodhi – çfarë po bënte Radoiçiqi atje dhe pse, dhe për t’i kërkuar llogari përgjegjësit. Duhet një përpjekje për të vazhduar atë proces - kur ka krizë, gjërat janë të rrezikshme. Kemi nevojë për paqe dhe stabilitet dhe mënyra më e mirë është kthimi në dialog”, tha ai, raportoi media serbe “Kossev”.

Ambasadori amerikan të enjten bashkë me kreun e Delegacionit të BE-së në Beograd, Emanuel Giofre, kanë vizituar njësitet e ushtrisë serbe në zonën e Novi Pazarit. Ai ka mohuar se ka udhëtuar për në këtë pjesë me një helikopter të ushtrisë serbe, duke thënë se ka qenë në një automjet zyrtar të ambasadës.

Hilli ka theksuar se rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë çon përmes dialogut.

“E dimë se cilat elemente janë në tryezë dhe duhet t'i japim z. Lajçak mundësinë për të përfunduar atë që ka nisur, në mënyrë që serbët në Kosovë të dinë se çfarë do të mund të bëjnë, dhe se Kosova ka një mundësi për ndërkombëtarizim. Të gjithë elementët janë aty për këtë, thjesht duhet të përfundojë”, ka thënë Hilli, duke shtuar se të dyja palët duhet të bëjnë diçka.

“Të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet atyre”, ka theksuar ai.