Për mënyrën se si Ministria e Infrastrukturës ka paguar ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” ka nisur hetim i ri. Përveç 53 milionë eurove shtesë, për të cilën ka aktakuzë, në kohën e Qeverisë Haradinaj i ishin paguar konsorciumit “Bechtel-Enka” edhe 44 milionë euro të tjera. Ky hetim ka nisur vetëm pasi KOHA e ka bërë publike aneks-kontratën për pagesën shtesë. Prokurorëve u kishte ikur ky detaj, ani pse njëri prej dëshmitarëve të rastit të 53 milionëve e kishte përmendur edhe shumën shtesë prej 44 milionëve. Ministri Liburn Aliu ka konfirmuar se është në dijeni për një hetim të tillë
Prokuroria ka nisur proces të ri hetimor për pagesat e Ministrisë së Infrastrukturës për konsorciumin “Bechtel Enka”, që ka ndërtuar autostradën Prishtinë - Shkup “Arbën Xhaferi”. Përveç 53 milionë eurove në emër të vonesave në kryerjen e punëve, dyshimet janë që këtij konsorciumi i janë paguar edhe 44 milionë euro në emër të punëve shtesë.
Burime në këtë institucion, por edhe në Ministrinë e Infrastrukturës kanë konfirmuar fillimin e hetimit.
Tash e dy ditë KOHA u ka dërguar pyetje Prokurorisë së Shtetit, por ajo nuk është përgjigjur.
“Hetimi ka nisur që më shumë se një muaj”, ka thënë ky burim.
Jozyrtarisht, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit kanë thënë që tashmë kjo lëndë ka filluar të punohet nga Prokuroria Speciale. Prokurori i rastit nuk është i njëjti me prokurorët që e kanë hetuar atë të pagesës së 53 milionë eurove për të cilin tashmë ka aktakuzë.
Ministri Aliu konfirmon hetimet
“Prokurori i rastit është një prokuror i ri që nuk ka shumë kohë që është transferuar në Prokurorinë Speciale”, ka thënë ky burim.
Për këtë çështje është kontaktuar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ai ka konfirmuar që është në dijeni për fillimin e hetimeve, porse nuk di më shumë së çfarë ka ndodhur.
“E di që rasti ka filluar të hetohet. Unë ende nuk jam intervistuar si dëshmitar. Për detaje të tjera interesohem e ju njoftoj të hënën”, tha ministri Aliu.
Zyrtarë të administratës së këtij institucioni kanë konfirmuar që tashmë Prokuroria Speciale ua ka marrë gjithë dokumentacionin që ka pasur kjo ministri në lidhje me këtë pagesë.
“Detaji” që u iku prokurorëve
Në kohën kur Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga ish-ministri Pal Lekaj, në emër të punëve shtesë “Bechtel-Enkas” iu paguan edhe 44.1 milionë euro të tjera.
Një gjë e tillë konfirmohet nga dëshmia e zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Ramë Qupeva, dhënë Prokurorisë së Shtetit për aferën e pagesës së 53 milionë eurove. Qupeva është drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në Ministri të Infrastrukturës e atëkohë ishte anëtar i Njësisë për implementimin e projektit.
Në dëshminë e tij dhënë hetuesisë, të cilën e ka KOHA, ai ka folur për këtë pagesë.
Ndonëse kishte deklaruar që kanë paguar edhe 44 milionë euro shtesë, prokurorët e rastit nuk e kishin pyetur më tej për këtë çështje e as nuk e kishin hetuar penalisht se pse kjo pagesë ishte kryer.
Vetëm në një vend përmendej 44-milionëshi. Organi i akuzës e kishte injoruar këtë fakt dhe kishte vazhduar hetimin për aferën e pagesës së 53 milionë eurove.
Në rastin e 53-milionëshit janë të angazhuar dy prokurorë specialë. Pagat e tyre sillen mbi 3 mijë euro. Prokurorët specialë, që në numër janë 17, konsiderohen si prokurorë elitarë e që merren me raste shumë të komplikuara. Ky institucion kurrë nuk është përgjigjur se pse prokurorët e saj e kanë injoruar fjalinë që jepte indikacione që vlera e keqpërdorimeve nuk është 53 milionë, por rreth 100 milionë euro.
Pasi aktakuza u bë publike, KOHA, bazuar në fjalinë që ishte transkriptuar e që i atribuohej Qupevës, kërkoi dëshmitë e pagesës në Ministrinë e Infrastrukturës. Fillimisht ky institucion deklaroi që nuk janë në dijeni për një aneks-kontratë të tillë. Kur KOHA e siguroi përmes rrugëve jozyrtare, në Ministrinë e Infrastrukturës kishin thënë se mungon një pjesë e dokumenteve që janë nënshkruar në kohën e Qeverisë Haradinaj.
Parregullsitë e aneks-kontratës
Pas analizimit të aneks-kontratës doli që ai dokument kishte parregullsi ligjore. Kjo vërtetohet nga një përgjigje e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Kjo aneks-kontratë, që ia kishte garantuar “Bechtel-Enkas” 44 milionë euro shtesë, ishte nënshkruar nga ish-sekretari Betim Reçica, po ashtu ishte nënshkruar edhe nga ish-ministri Pal Lekaj e nga zyrtari Ramë Qupeva. KOHA ka provuar që t’i kontaktojë të tre, por nuk janë përgjigjur.
Në këtë aneks-kontratë mungon nënshkrimi i zyrtarit të prokurimit, ani se nënshkrimi i tij përbën kusht ligjor.
Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik kanë konfirmuar që nëse kontrata s’e ka nënshkrimin e këtij zyrtari është e pazbatueshme. Këtë e kanë elaboruar përmes një përgjigjeje të gjatë.
“Konform nenit 87, paragrafit 2, nënparagrafit 2.8 të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237, Ligjin nr. 05/L-068 dhe Ligjin nr. 05/L-092, duke u bazuar në pyetjen e parashtruar, KRPP sqaron paragrafët 1 dhe 2 të nenit 26 të LPP-së”, ka shpjeguar bazën ligjore KRPP-ja. “Përveç siç përcaktohet në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, zyrtari përgjegjës i prokurimit i një autoriteti kontraktues është i vetmi person i autorizuar që të lidhë ose të nënshkruajë një kontratë publike në emër të autoritetit të tillë kontraktues. Nënshkrimi dokumenton se kontrata është dhënë në pajtueshmëri me ligjin aktual...”, thuhet në dispozitën ligjore së cilës i është referuar KRPP-ja.
Me qëllim që ta sqarojnë paragrafin e parë dhe të eliminojnë mundësinë e përjashtimeve në këtë rast i janë referuar edhe paragrafit të dytë të nenit 26.
“Përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës të prokurimit të përmendur në paragrafin 1 të këtij neni, kontratat me vlera të mëdha të autoriteteve kontraktuese duhet që gjithashtu të nënshkruhen në emër të autoritetit kontraktues nga zyrtari kryesor administrativ, si dhe ministri ose autoriteti tjetër përkatës publik. Nga kjo rregull përjashtohet presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri. Nënshkrimet e përcaktuara, sipas këtij neni konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë. Kontratat që nuk nënshkruhen në pajtim me paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni janë të pazbatueshme”, thuhet në këtë dispozitë. Mbi këtë bazë e kanë dhënë opinionin.
Rreth 800 milionë euro është kostoja e autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila u inaugurua në maj të vitit 2019.