Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka akuzuar partinë në pushtet në Qeveri dhe në Komunën e Gjilanit, për “goditje të figurës së Presidentit (Ibrahim Rugova) edhe për së vdekuri”.
Në një akademi përkujtimore në Gjilan në 17-vjetorin e vdekjes së ish-kreut të LDK-së, Haziri ka akuzuar Vetëvendosjen në Gjilan se e ka hequr “me porosi” akademinë përkujtimore nga kalendari i manifestimit “Flaka e Janarit”. Duke akuzuar VV-në në Gjilan ai ka akuzuar edhe kreun e Qeverisë dhe të VV-së, Albin Kurti.
“Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i ‘Flakës së Janarit’. Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit”, ka thënë kreu i Degës së LDK-së në Gjilan, sipas njoftimit nga kjo parti.
Haziri ka thënë se Kosova e pavarur dhe e hapur ka qenë opsioni i Rugovës dhe “askujt tjetër”.
“U deshën më pak se dhjetë vjet që për këtë të pajtohen miqtë amerikanë dhe evropianë me këtë opsion të vetëm për të shkaktuar rehati, siguri dhe paqe në Ballkan. Këtë duhet ta besojnë edhe rivalët e tij, të cilët nën rrogoz vazhdojnë të sillën si armiq politikë, që zgjidhja dhe kompromisi që e ka dhënë Ibrahim Rugova është i paprekshëm dhe Republikë të dytë nuk mund të ketë kurrë në Kosovë. Ai i bindi të gjithë për opsionin e tij sepse e ka pasur paqen, falënderimin, mirënjohjen dhe kujdesin për njeriun, familjen dhe popullin e tij. Sot demokracia, sovraniteti dhe dinjiteti, siç i shihte presidenti Rugova, nuk janë të plota. Falënderim, mirënjohje dhe bekim për të gjithë ju që vazhdoni të besoni në politikë të paqes dhe të shtetit, e cila kalon nëpër derën e familjes në LDK”, është shprehur tutje ai.
Në emër të kryesisë qendrore të LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë se Rugova ka qenë “diplomat i cili krijoi miqësi si asnjëherë më parë me vendet demokratike të Evropës dhe SHBA-në”.
Edhe
Liderët e vlerësojnë kontributin e Rugovës për orientimin politik të Kosovës drejt Perëndimit
Më herët gjatë të shtunës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, kanë bërë të shtunën homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, me rastin e 17 vjetorit të vdekjes së tij. Kurti ka thënë pas homazheve se Rugova kujtohet për sjelljen e tij paqësore dhe humaniste, e po ashtu për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe kombëtarizimin e rezistencës.
“Bashkë me presidenten Vjosa Osmani-Sadriu vendosëm lule të freskëta dhe bëmë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së parë të Kosovës dhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar. 21 janari është ditë e ftohtë dhe është një ditë në të cilën teksa e përkujtojmë presidentin Rugova, e kujtojmë atë për qëndrimin intelektual, për sjelljen paqësore, për qasjen humaniste, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe për kombëtarizimin e rezistencës”, është shprehur Kurti pas homazheve.
KOHA i ka drejtuar pyetje Vetëvendosjes për akuzat e Hazirit. Sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
-
Kurti: Kur Serbia këmbëngulte që s’ka Republikë të Kosovës, Rugova si president i saj takoi Clintonin
-
Kurti homazhe te varri i Rugovës: Kontribuues i madh për unitetin e popullit
-
Osmani e Kurti bëjnë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova
-
Kurti kujton Rugovën: Luajti rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës