Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu: S’është larg mendsh që gjykatat t’i lirojnë edhe terroristët e 24 shtatorit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Të papranueshëm e ka cilësuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lirimin me dorëzani të Dejan Pantiqit, të dyshuarit për terrorizëm. Në një shkrim në Facebook, ajo ka thënë se “kjo veç drejtësi nuk është”.

Duke akuzuar për mungesë drejtësie në këto vendime, Haxhiu ka thënë se “nuk është larg mendsh” që edhe “terroristët e 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani”.

“Të gjithë kriminelët të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, Gjykata i ka liruar me dorëzani! Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani. Kjo veç drejtësi nuk është! E papranueshme. I bëj thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë”, ka shkruar ajo në Facebook të premten në mbrëmje.

Për lirimin e Pantiqit ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai e ka quajtur vendimin sabotazh të luftimit të krimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se e ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Pantiqit, duke ia zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me dorëzani prej 30 mijë euro.

Edhe Sveçla për lirimin e Pantiqit: Po sabotohet luftimi i krimit Arbëri Sveçla për lirimin e Pantiqit: Po sabotohet luftimi i krimit

Pantiq ishte pjesë e Policisë së Kosovës deri në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisi institucionet së bashku me serbët e tjerë në veri të Kosovës.

Ai u arrestua një muaj më vonë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, nën dyshimin për “terrorizëm në bashkëkryerje”. Ai dyshohet për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre të komisionit zgjedhor.