Lirimin me dorëzani të të dyshuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si sabotazh nga institucionet e drejtësisë ndaj punës që po bëhet në luftimin e krimit.
“Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani. Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Mos të harrojmë që një pjesë e konsiderueshme të kriminelëve që vepronin në veriun e vendit tonë e që sulmuan institucionet e Republikës së Kosovës, Policinë e Kosovës, pjesëtarët e misioneve të huaja dhe gazetarët, janë lënë të lirë në këtë formë. Mund të supozojmë pastaj se me çfarë aktivitetesh janë marrë sërish këta persona”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
“Po ashtu, veprat për të cilat akuzohen Pantiq dhe të tjerët nuk janë çfarëdo veprash. Ata akuzohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal. Kësisoj, këto lloj masash nuk i shërbejnë aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë. Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës. Puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet”, ka përfunduar ai shkrimin.
Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se e ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të Pantiqit, duke ia zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me dorëzani prej 30 mijë euro.
Pantiq ishte pjesë e Policisë së Kosovës deri në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisi institucionet së bashku me serbët e tjerë në veri të Kosovës.
Edhe
Shteti s’mund ta parandalojë largimin e Pantiqit për në Serbi, mund t’ia marrë vetëm dorëzaninë
Ai u arrestua një muaj më vonë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, nën dyshimin për “terrorizëm në bashkëkryerje”. Ai dyshohet për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre të komisionit zgjedhor.
https://www.koha.net/arberi/396182/pantiqi-lirohet-nga-arresti-shtepiak-jep-30-mije-euro-dorezani/