Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për vrasjen e nxënësit 14-vjeçar të martën në Prishtinë, për çka tha se institucionet e vendit duhet të rrisin efikasitetin në të gjitha drejtimet.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se nga njëra anë organet e rendit duhet të veprojnë, por edhe duhet të forcohen institucionet arsimore.
Sipas saj, ndaj fëmijëve duhet të ketë siguri të plotë, që as aksidentalisht të mos iu ndodhin të tilla ngjarje.
“Lajm i trishtë vrasja e nxënësit 14 vjeçar në Prishtinë. Është tronditës fakti që tashmë kemi humbur një të mitur pranë ambienteve të shkollës. Fëmijët tanë duhet të kenë siguri të plotë, që madje as aksidentalisht të mos iu ndodhin të tilla ngjarje. Institucionet tona duhet edhe më tej të rrisin efikasitetin në të gjitha drejtimet. Nga njëra anë duhet të veprojnë organet e rendit, e në anën tjetër duhet forcuar institucionet arsimore”, ka shkruar ajo.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se rasti është nën hetim andaj nuk mund të thuhet shumë.
Edhe
Haxhiu reagon pas sulmit në Skenderaj: Institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë
Ai ka treguar se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, në Kodrën e Trimave.
“Ka ndodhur në rrugë, në Kodrën e Trimave, ndjej keqardhje për çfarë ka ndodhur. Policia është nën hetime, do të ju njoftojmë në të ardhmen sapo të marrim më shumë informacione”, ka thënë Rama.