Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haxhiu për deklaratat e Gecit: Përçarëse dhe të papranueshme, deputetët ta ruajnë nivelin e debatit

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e nisi seancën e sotme parlamentare duke mbajtur fjalim e duke dënuar deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, duke i cilësuar ato si të rënda, përçarëse dhe të papranueshme.

Ajo bëri të ditur se ka ndërhyrë gjatë fjalës së tij në seancë, duke theksuar se nuk do të lejojë që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Haxhiu ritheksoi se krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe shprehu shpresën që vendimi i gjykatës do të korrigjojë, siç tha ajo, padrejtësinë e Prokurorisë së Specializuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk do të lejoj që foltorja e Kuvendit të përdoret për sulme të tilla. Le të debatojmë me ide, por jo me qëndrime që cenojnë luftën çlirimtare dhe ata që kontribuuan në kohërat më të vështira”, deklaroi ajo, duke shtuar se lufta çlirimtare ishte e pastër dhe çdo tentim për ta zbehur është i papranueshëm.

Kryeparlamentarja reagoi edhe ndaj gjuhës seksiste të përdorur ndaj nënkryetares Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të papranueshme. Ajo theksoi se nuk do të lejohet normalizimi i një gjuhe të tillë, sidomos në institucionin më të lartë përfaqësues.

“Dje u bë publike edhe gjuha seksiste ndaj nënkryetares Vlora Çitaku. Kuvendi nuk është dhe nuk do të bëhet arenë e gjuhës seksiste. Gjuha poshtëruese ndaj grave në shoqërinë tonë është e papranueshme dhe e turpshme. Nuk do të lejoj që një gjuhë e tillë të normalizohet veçanërisht në sallën e Kuvendit.  Fyerja, paragjykimi dhe nënçmimi nuk janë debat dhe nuk do të tolerohen asnjëherë”, shtoi Haxhiu.

Në fund, Haxhiu u bëri thirrje deputetëve që të ruajnë nivelin e debatit dhe të respektojnë besimin që u është dhënë nga qytetarët.

Gjatë seancës të së martës, Geci i uroi ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë fat të njëjtë sikurse Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për planifikimin e vrasjes së bashkëshortes.

Geci gjithashtu iu drejtua deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, me fjalën “gru e keqe, i ke bo 100 vjet hala s’je martu”.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi

Pa votat e opozitës, pushteti miraton Projektligjin për çmimet tavan