Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë njoftuar se sot janë pritur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila thuhet se ka shprehur mbështetje për marshin “Drejtësi, jo politikë” që do të mbahet më 17 shkurt, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
“Në takim u diskutua për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet nesër në Prishtinë, në mbrojtje të çlirimtarëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe shokët e tyre që po gjykohen në Hagë, si dhe për rëndësinë e një mobilizimi dinjitoz në këtë moment vendimtar të procesit”, thuhet në njoftimin e platformës.
Haxhiu thuhet se e “vlerësoi angazhimin e platformës dhe rëndësinë e mobilizimit qytetar në këtë moment”.
“Ju përgëzoj për angazhimin dhe mobilizimin qytetar. Do të jetë një marsh madhështor, sepse kur bëhet fjalë për vlerat e luftës çlirimtare, UÇK-ja na bashkon të gjithëve”, citohet të ketë thënë Haxhiu.
Më 17 shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të marshohet në mbështetje ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi që po gjykohen në Hagë për krime lufte.