Arbëri

Haxhiu, Lekaj, Kadaj-Bujupi e Baftiu deklarohen të pafajshëm për gazin në Kuvend

Ish-deputetët Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu, që po akuzohen për posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve lidhur me gazin lotsjellës në Kuvend, janë vetëdeklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Haxhiu e cila tash mban postin e ministres së Drejtësisë ka thënë se akuza ndaj saj është e padrejtë e politike.

Avokati i Lekajt, Arianit Koci, ka thënë se ka shtatë vjet që klienti i tij po mbahet në procedurë me akuza e prova jo-konkrete.

Prokurori Ilaz Beqiri ka thënë se provat materiale e vërtetojnë aktakuzën ndaj të akuzuarve.

"Në fotodokumentacion shihen provat që janë sekuestruar nga të pandehurit", ka thënë Beqiri.

Beqiri ka thënë po ashtu se është ngatërruar fletë-sekuestrimi apo fletën për kthim të gjësendeve sa i përket kthimit të mbetjeve të bombolave të gazit lotsjellës.

Këtë ka thënë se e ka konfirmuar me policinë, andaj e ka propozuar dëgjimin e policit hetues Destan Rukolli. Gjykata e aprovoi këtë propozim.

Në përputhje me udhëzimet e Apelit gjykata vendosi ta bëjë edhe një ekspertizë balistike të mbetjeve të sekuestruara.

Seanca e radhës është caktuar për 10 shkurt.

Ky rast po gjykohet për herë të dytë për shkak se Apeli e ka kthyer në rigjykim.