Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të shqiptojnë dënime maksimale ndaj dhunuesve dhe ngacmuesve seksualë, pak orë pasi alpinistja Mrika Nikqi publikoi videon në të cilën shihet se si ishte sulmuar seksualisht para pak ditësh.
“Ngacmuesit e dhunuesit po e vështirësojnë jetën e vajzave e grave gjithandej Kosovës dhe kjo është e patolerueshme. Për shkak të rritjes së rasteve të dhunës e ngacmimit seksual, para disa javëve kemi punuar në ndryshimin e Kodit Penal në drejtim të ashpërsimit të masave e dënimeve për dhunuesit dhe ngacmuesit. Të njëjtat, do t'i finalizojmë dhe procedojmë tutje javën e ardhshme dhe do të përkujdesemi që të gjitha procedurat deri në fuqizim të bëhen në kohë sa më të shpejtë. Institucionet e drejtësisë duhet të shqiptojnë dënime maksimale për dhunuesit e ngacmuesit seksualë!” ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Pamjet e publikuara nga Nikqi tregojnë momentin e sulmit, ndërsa shihet se viktima i shmanget sulmuesit vetëm pasi në vendngjarje vijnë disa qytetarë të tjerë. “Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht! Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B., anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt. Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji”, ka shkruar ajo në Facebook, për pamjet që bënë jehonë të premten.
Në Policinë e Kosovës kanë thënë për KOHËN se i dyshuari është arrestuar të premten. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh nga prokurori i rastit.