Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka bërë pyetje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për keqpërdorimet në SHSKUK që janë evidentuar në raportin e Auditorit, e për të cilat ka raportuar “KOHA Ditore”.
Haxhiu madje përmendi edhe raportimin e “KOHËS Ditore” në lidhje me këto keqpërdorime.
“Në raportin e ZKA-së për vitin 2021, janë evidentuar keqmenaxhim, keqpërdorime në vlerë mbi 12 milionë euro. Në raportohet thuhet se në 61 raste në vlerë mbi 7.8 milionë euro mungon raporti i pranimit të mallit, në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë euro urdhërblerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit. Një herë është ardhur malli e fatura e pastaj është lëshuar urdhërblerja. Bëhet fjalë për furnizime mjekësore, ushqim, për karburant. Në 12 raste me vlerë 2 milionë e 448 mijë euro, faturat s’janë paguar në afate ligjore. Mangësi në procedura të prokurimit, keqpërdorim në procedura të prokurimit edhe për transport të kufomave për shërbime funelare ‘Covid-19’”, tha ndër të tjera Haxhiu në Kuvend.
E ministri i Shëndetësisë, Vitia, ka thënë se raportimi i Audimit është votuar në Kuvend dhe se qëndrojnë pas tij. Ai ka thënë se të gjithë ato që i ka konstatuar raporti, do të duhen organet përkatëse të merren me to.
Ai më pas ka lexuar përgjigjen e SHSKUK-së.
“Kam kërkuar përgjegjësi nga bordi i SHSKUK-së dhe kam përgjigjen që dua ta lexoj. Bordi drejtues në kuadër të kompetencave ligjore nuk e ka nën menaxhim buxhetin e SHSKUK-së, rrjedhimisht s’ska si të krijojë dëmin për shumat e përmenduar nga ju z. Haxhiu”, tha Vitia. “Të gjeturat e ZKA-së, sipas nesh, nuk janë keqpërdorime, por keqklasifikime, gabime në përllogaritje të shpenzimeve. Të gjeturat me elemente të shkeljes së ligjit janë dërguar në Prokurori e janë ngritur kallëzime penale.
Ai ka thënë se sipas përgjigjes së SHSKUK-së në rastin e parë ku thuhet për 61 raste me mbi 7.8 milionë euro vlerë që mungon raporti i pranimit të mallit, kjo s’qëndron pasi malli është pranuar, por mungon raporti i menaxherëve të kontratës, që këtë raport e kanë përcjellë përmes SMSF-së. Ai ka thënë se në rastin e dytë kur urdhërblerjet janë bërë pas pranimit të mallit, shumica ka të bëjë me furnizim me karburante, ku veturat janë furnizuar me karburant e më pas është dërguar një faturë. E Sipas, SHSKUK-së në rastin e tretë për 12 raste që faturat s’janë paguar në afat ligjor, ka të bëjë me projekte që ishin domosdoshmëri për menaxhim të pandemisë, si furnizim me bombola të oksigjenit e shtrirje të rrjetit të oksigjenit.
Edhe
Auditori gjen barna pa afat e vonesa në furnizime
“Për tenderin për transport të kufomave, që është konsumuar kjo gjë tashmë, ishin 9 operatorë ekonomikë, e fitues doli operatori me çmim më të ulët. Bordit më 28 mars i ka skaduar mandati dhe është dërguar kërkesa për anëtarë të rinj te institucionet përgjegjëse. Po presim, në momentin e parë që vinë rekomandimet, do të formohet bordi i ri që do të miratohet më pas”, tha Vitia.
E Haxhiu më pas reagoi, duke thënë: “I nderuar ministër, të gjithë ata që keqpërdorin e keqmenaxhojnë, e KOHA Ditore evidenton mbi 12 milionë euro keqpërdorime, keqmenaxhime e keqklasifikim, atëherë nuk ka vend për mosndëshkim. Është Bord që është emëruar nga ju. Do të thosha a do t’ia vazhdoni mandatin nëse jeni i kënaqur apo do ta ndërroni. Për shkak të raportimit të Auditorit për keqmenaxhim, ka vend për ndëshkim e mos t’i vazhdohet mandati Bordit të tillë që ka bërë keqpërdorime që janë në vlera të larta, që nuk janë vetëm për karburant, por edhe për furnizime mjekësore që lidhen drejtpërdrejt me kujdesin ndaj pacientit”, tha Haxhiu.
-
Haxhiu: Me rritjen e buxhetit në shëndetësi është rritur edhe korrupsioni
-
Nuk i dha qasje KOHË-s, SHSKUK-ja gjobitet me 3 mijë euro për mbajtje të fshehtë të raporteve
-
QKUK-ja përgënjeshtron ministrin Vitia, raporti për pishinat ende nuk i është dorëzuar
-
Ramaj thotë se VV-ja nuk e shkëputi keqmenaxhimin në shëndetësi