Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me aktgjykimin për seancën konstituive, Gjykata Kushtetuese “ua ka grabitur kompetencat deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.
Në një konferencë për media të dielën, tek ka akuzuar gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Radomir Laban, për cenim të rendit kushtetues, Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese “ka krijuar norma të reja” dhe ka “tejkaluar kompetencat”.
Duke komentuar vendimin që votimi për kryeparlamentar të jetë i hapur, ajo ka thënë se kjo është grabitje e kompetencave të deputetëve sepse “ata duhet të vendosin a duhet të jetë proces i hapur apo mbyllur”.
Haxhiu ka pyetur po ashtu edhe se ku është bazuar Gjykata Kushtetuese kur ka vendosur që një deputet ka të drejtë të propozohet tri herë për kryeparlamentar.
E ka cilësuar vendimin precedent të rrezikshëm.
Haxhiu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “asnjëherë nuk ka thënë se nuk do t'i respektojmë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”.
Megjithatë, ka thënë se duhet të ketë debat që “praktikat e interpretimit kushtetues të mos kthehen në mekanizma të heshtur për ndryshime të rendit kushtetues”.
Në njoftimin për aktgjykim, që e ka publikuar të premten, Kushtetuesja i ka dhënë tre urdhra për deputetët e rinj për përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila ka nisur prej gati katër muajsh. I pari është për kryesuesin e seancës, për ta rikthyer votimin e hapur. Urdhri i dytë është për të gjithë ligjvënësit. Ata detyrohen që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Edhe i treti është për të gjithë. Kushtetuesja i obligon që brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, me të cilin hap konstituohet legjislatura e re.
Deputetët nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin e institucionit më të lartë ligjvënës, që nga zgjedhjet e shkurtit. Deri tash kanë dështuar më shumë se 50 seanca. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar asnjëherë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut apo edhe për komisionin për votim të fshehtë.