Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka fajësuar Qeverinë Kurti se është shkaktare për debatin e fundit të nxitur në mes të Kosovës e Shqipërisë.
Sipas tij, nxitja e debatit “për armiqësinë dhe raportin Kosovë-Shqipëri” po bëhet me qëllim “për të mbuluar skandalet dhe dështimin në qeverisje”.
“Për keqardhje deri në çfarë degradimi zhvillohet sot debati për armiqësinë dhe raportin Kosovë-Shqipëri, i shkaktuar nga ata që erdhën në pushtet me kauzën e bashkimit kombëtar. Nxitja e një debati të tillë po bëhet me qëllim nga Qeveria Kurti për të mbuluar skandalet dhe dështimin në qeverisje, dështimin në procesin e vaksinimit, dështimin në mbështetje të profesionistëve shëndetësor, policëve, mësimdhënësve e zjarrfikësve. Sot dhe ditët në vazhdim tema kryesore do të duhej të ishte 562 raste pozitive me Covid-19, pastaj edhe rastet e infektimit të disa fëmijëve dhe rastet e reja me virusin Delta të cilat nuk janë identifikuar e raportuar me kohë nga MSH”, ka shkruar ai në Facebook.
Një debat i gjerë është zhvilluar, kryesisht në rrjete sociale, për raportet Kosovë-Shqipëri ditëve të fundit. Në masë ajo u nxit nga ftesa që Festivali i Birrës në Korçë i bëri këngëtarit që ishte simbol i muzikës së ish-Jugosllavisë, Goran Bregoviqit. Kjo nuk u prit mirë në Kosovë. Debatit për raportin Kosovë-Shqipëri i parapriu zyrtarizimi i “Open Ballkan”, si iniciativë e përbashkët e Shqipërisë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut, pjesë e së cilës refuzoi të jetë Kosova. Të martën, pas shumë kritikave nga ndjekësit në rrjete sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërtheu me kritika drejtuar lidershipit kosovar ndër vite.