Arbëri

Hasani: Kosova pret medalje nga Lojërat Olimpike në Tokio

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, është shprehur optimist se nga Lojërat Olimpike që do të mbahen në Tokio, të kthehen me medalje.

Ai ka thënë se presin që 6-7 sportistë të kualifikohen në Lojërat Olimpike, derisa ka shtuar se janë pesë sportistë nga xhudoja.

E, duke folur për Lojërat Evropiane të mbajtura në Minsk ai tha se Kosova është trajtuar e barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.

Ai ka thënë se ndonëse konkurrenca ishte e lartë, suksesi i Kosovës nuk ka munguar.

Ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se në Minsk të gjithë qytetarët kanë mundur të ndjekin lojërat, duke blerë vetëm një biletë për hyrje në stadium.

Hasani ndër të tjera ka thënë se do të ishte befasi që Kosova të mos merrte medalje në Minsk.

“Pritjet kanë qenë reale që do të kemi medalje nga xhudoja, kemi pasur pritje edhe nga karateja dhe boksi. Të marrësh medalje në këtë konkurrencë është sukses shumë i madh. Konkurrenca në Evropë është shumë e lartë, nëse këtu merr medalje atëherë kjo do të thotë se mund të marrësh edhe në lojërat olimpike”, ka thënë ai.

Ndërkaq për suksesin në sportin e xhudos, ai ka thënë se një ndër faktorët kyç të suksesit është trajneri, duke mos mohuar suksesin dhe vullnetin e sportistëve.

“Unë them se Kosova ka talent. Në sportet individuale apo luftarake investimet janë më të vogla, aty ku janë investimet janë rezultatet më të mëdha. Aty ku punohet me plan të mirë, ka rezultate më të mira”, ka thënë ai.

Ai thotë se në Minsk ka shkuar një delegacion i arsyeshëm.

“Në Minsk kemi shkruar 7 trajner, 12 sportistë, shefi misionit, terapeuti, dy gazetarë, presidenti, sekretari i përgjithshëm dhe gjashtë anëtarë të bordit”, ka thënë ai duke shtuar se prezenca e krerëve të shtetit në raste të tilla i nderon ata.

Hasani ka thënë se me komitetin Olimpik të Serbisë takohen në lojërat të cilat marrin pjesë të dyja vendet.

Ai thotë se kryetari olimpik i Serbisë është konstruktiv derisa shton se sporti i ka shkrirë konfliktet mes dyja vendeve.

“Disa nga sportistët tanë janë ndalur në Serbi gjatë kohës sa ishin duke shkuar në Rumani. Unë kam folur me presidentin olimpik të Serbisë për t’i ndihmuar dhe pas 15 minutave sportistët janë lejuar të dalin”, ka thënë ai.

Hasani ka thënë se diplomacia sportive i lëviz gjërat por nuk i zgjidh të gjitha çështjet.

Besoj që Spanja nuk do ta pengojë më hyrjen e sportistëve atje, përndryshe besoj që do i merret mundësia që të jetë nikoqire për lojëra.

Tutje, Hasani ka folur edhe për organizimin e garave zyrtare të Serbisë në Kosovë.

“Është një problem serioz, por për këtë Federatat përkatëse duhet të na informojnë. Por para se të na informojnë neve duhet ta informojnë Federatën ndërkombëtare përkatëse, sepse përgjegjëse për organizimin e garave në një shtet është vetëm Federata e atij shteti”, ka thënë Hasani.

“Nëse ne mund të ndihmojmë diçka do ta bëjmë pa problem, ndërsa këtu duhet të futet edhe Ministria e Punëve të Brendshme, që të ndalojë mbajtjen e garave zyrtare. Ndeshje miqësore mund të organizohen”, ka thënë ai.

Krejt në fund ai ka folur edhe për Ligjin për Sponsorizim, që ka thënë se padyshim se do t’i japë shtytje sportit.

“Është marrë një vendim jashtëzakonisht i mirë, që do të jetë trampolinë për zhvillimin e sportit, një model i mirë i cili është marrë nga Gjermania. Mendoj se shembullin e njëjtë do ta ndjekin edhe vendet e rajonit”, ka thënë Hasani.