21:47 - Remzi Hasani, kryetar i Frontit Popullor për mbrojtjen dhe kultivimin e vlerave të Enver Hoxhës, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se Enver Hoxha nuk i burgosi 1200 kosovarë që në periudhën e tij udhëtuan për “ideal kombëtar” në Shqipëri.
“Atyre duhet shikuar dosjet, nuk shkuan atje për ideal. Enver Hoxha nuk i burgosi”, ka thënë Hasani.
Nurellari: Enver Hoxha tradhtoi Kosovën
21:25 - Studiuesi i politikës dhe medias, Adri Nurellari në Rubikon të KTV-së foli se si Enver Hoxha tradhtoi Kosovën, “ashtu siç bëri me të gjithë të tjerët”.
Ai tregoj se arsyeja e prishjes së marrëdhënieve të Hoxhës me Jugosllavinë nuk ishte Kosova.
Myftari: Po ta dija si është gjendja në Shqipërinë e Enverit, nuk do të kisha shkuar
Esat Myftari u nis për në Shqipëri për të kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me të shkuar atje, u tmerrua me atë se çka pa dhe kërkoi të kthehej. Kjo tashmë ishte e pamundur.
“Ne kërkuam një përgjigje të qartë, do bashkëpunojmë apo jo. Përgjigjja nuk vinte. Bashkëpunimin e kërkonim për bashkimin me Shqipërinë. Për shumë gjëra fillova të tmerrohem, nuk do të kisha shkuar fare. Gjysmën e jetës e kisha falë veç të mos shkoj”, tregon ai.
Myftari tregon se i shkroi letër ministrisë së Brendshme duke i kërkuar tërheqjes së lejes për qëndrim atje.
“Një oficer më vjen dhe më thotë se nëse pranon që të bësh Partinë Leniniste në Kosovë brenda javës je në Kosovë, e nëse s’pranon nuk do ta shohësh asnjëherë Kosovën me sy. I thashë që vetëm ai lart vendos nëse do ta shoh Kosovën apo jo”, shpjegon ai.
Në vitin 1976 u dënua prej organeve shqiptare për agjitacion e propagandë me 10 vjet burg.
Esat Myftari është autor i librit “Kosova dhe Enver Hoxha” – përmes dokumenteve arkivore të pabotuara deri më sot.