Kryetar i Degës Regjionale në Prishtinë të Odës së Avokatëve të Kosovës, Nasuf Hasani, ka deklaruar se arrestimi i avokatit Besnik Berisha nuk është përndjekje politike, duke shtuar se Prokuroria pretendon se ka prova dhe se duhet pritur epilogu.
Pas vendimit për lirimin e Berishës, Hasani ka shkruar në Facebook të dielën se prokurori Rasim Maloku, ishte lavdëruar në rastin “Brezovica”, ndërsa në atë të “Fajdeve”, që ishte iniciuar nga “Brezovica”, po kritikohet.
“Rasim Maloku është personi i njëjtë. Si ka mundur që atëherë të jetë i mirë, e tash jo? I pandehuri avokati nga Prishtina, është duke u proceduar penalisht. Ta presim rezultatin e hetimeve dhe eventualisht edhe gjykimin. Edhe prokurori edhe avokati, kanë me pasë mundësi me i shtjellu argumentet e tyre. Tani është herët për çfarëdo konkludimi - E më së paku që arrestimi i tij, është përndjekje politike. Prokurori po thotë që ka dëshmi, përgjime dhe prova tjera. Po ashtu, po thotë që avokati ka kërkuar para në rast ku ligjërisht nuk ka pasur të drejtë me i mbrojtë dy vëllezër, për shkak se ka qenë mbrojtës i personit të tretë. Këto janë situata që shumë lehtë vërtetohen. Ta presim epilogun. Fajësia apo pafajësia e një personi, konstatohet në gjykatë, e jo në media”, ka shkruar ai.
Sipas Hasanit, është koincidencë interesante se si gjyqtari i njëjtë e ka refuzuar kërkesën për paraburgimin e avokatit Berisha, ndërsa të tjerëve në rastin “Fajde” u ka caktuar paraburgim.
“Sidoqoftë, shumë koincidencë interesante po duket fakti që gjyqtari i njejtë që e ka refuzuar kërkesën e paraburgimit për klientin e avokatit në rastin e fajdeve - e të tjerëve ia ka caktuar paraburgimin, e ka refuzuar kërkesën për avokatin, edhe më koincidencë kur avokati dyshohet për tre vepra penale, refuzohet kërkesa e masës së paraburgimit, ndërkaq këta tjerët që dyshohen vetëm për një vepër penale, u caktohet kjo masë”, shtoi ai.
Hasani shtoi se është interesante se si edhe avokati edhe klienti i tij, gjatë kohës sa ishin të arrestuar, ishin shtrirë në kardiologji.
Edhe
Berisha: U arrestova sepse e godita pushtetin
“Dhe që të jetë koincidenca edhe më e madhe, edhe klienti i avokatit edhe vet avokati, gjatë kohës sa kanë qenë të arrestuar, kanë qenë të shtrirë në spital – kardiologji. Por, mua çka më brengosë më së shumti është fakti që avokati është edhe avokat edhe pronar dhe drejtor i një mediumi. Se paku ashtu ka qenë deri vonë. E KJO NUK I BËNË NDERË AS AVOKATISË E AS GAZETARISË, madje është edhe e ndaluar. Sa i përket vet arrestimit të tij, besoj që në këtë rast ka dilema profesionale”, ka thënë Kryetar i Degës Regjionale në Prishtinë të OAK-së.