Është liruar avokati Besnik Berisha. Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Naim Rudari.
Ai ka thënë për KOHËN se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë për paraburgim.
“Po e ka masën e ndalimit per t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, ka thënë Rudari, duke shtuar se klienti i tij ndodhet në spital.
Gjykata Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtatë të dyshuarve në mesin e të cilëve është edhe Berisha.
Njoftohet se është caktuar paraburgim për një muaj për të pandehurit N.Xh., J.V., F.Z., R.C., A.S., e ka për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer disa vepra penale.
Të pandehurit I.S., i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, për të dyshuarin B.B. i është refuzuar kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe i është caktuar masë e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Ata dyshohen për veprat “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, “ushtrimi i ndikimit”, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”
Pas intervistimit të enjten, Berisha është hospitalizuar në Klinikën e Kardiologjisë.