Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Harta e re e Shqipërisë me 15 bashki më pak

Kuvendi i Shqiperise

Ndryshimet në hartën e pushtetit lokal në Shqipëri kanë thelluar përplasjet mes pozitës dhe opozitës. Partia Socialiste e ka çuar përpara reformën, pavarësisht kundërshtimeve nga demokratët dhe komunitetet e prekura. Gjatë procesit të votimit, pati edhe përplasje mes deputetëve, ndërsa Edi Rama u mor në mbrojtje nga garda e Kuvendit

Me përplasje fizike mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës në Shqipëri është përcjellë momenti i votimit të Ligjit për reformë territoriale, nëpërmjet të cilit shkrihen 15 bashki të vogla.

Pas tensionimit të situatës ka ndërhyrë garda e Kuvendit, e cila ka marrë në mbrojtje kryeministrin Edi Rama, drejt të cilit janë hedhur vezë e bidonë uji.

Megjithëkëtë, në rrethana të këtilla është zhvilluar votimi elektronik.

“85 vota pro, zero abstenim, 34 kundër, miratohet në tërësi projektligji”, ka komunikuar rezultatin e votimit Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.  

Votimit i ka paraprirë debati që ka nisur në orët e mbrëmjes të së enjtes, dhe ka zgjatur deri pas mesnate të premten.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i akuzoi ligjvënësit socialistë se detyrohen të votojnë edhe ligje për të cilat kanë kritika.

Nuk i kam parë kurrë më në siklet këta këtej, sesa sot. Madje pjesa dërmuese e tyre folën dhe na thanë ne jemi kundër, por do të votojmë pro. Ne besojmë që kjo nuk është reformë, por ne do votojmë pro. Dhe ju falënderoj shumë sepse kemi kaq kohë që ju themi se ju në këtë sallë s’keni as mendim, as ide, as vizion. Ju jeni 84 diella që ju kurdis Edi Rama dhe e keni kthyer funksion e përfaqësuesit të popullit në kartonë që ngrihen sipas interesit personal të Edi Ramës”, ka theksuar Bardhi.

Ndërkaq, deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nëpërmjet reformës vendore synon ta zgjerojë sa më shumë edhe pushtetin në zgjedhjet lokale.

“Fatkeqësisht Shqipëria është marrë peng me këtë model centralizimi, që vërtitet rreth një njeriu të vetëm i cili bën llogari vetëm e vetëm të mbajë pushtetin e vet. Pra llogarit që në zgjedhjet e ardhshme lokale duhet të ketë një hartë që ai duhet ta fitojë sa më lehtësisht në letër. Dhe kjo është fatkeqësia e madhe e shqiptarëve”, është shprehur Kapri.

Nisma e Partisë Socialiste, përpos nga opozita, është kundërshtuar edhe nga këshillat bashkiakë të bashkive që do të shkrihen dhe nga komunitetet lokale në këto zona që kanë protestuar edhe para parlamentit.