Arbëri

Haraqinë e befason guximi i Teuta Rugovës “për ta mbështetur pa kushte Haradinajn me PAN-in”

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija e ka cilësuar si guxim të jashtëzakonshëm atë që ka deklaruar sot deputetja e zgjedhur Teuta Rugova, se mbështet Ramush Haradinajn si kryeministër me PAN-in.

Rugova pati një guxim të jashtëzakonshëm, dhe sinqerisht jam prek shumë. Alamet burra me gjithë këtë përvojë nuk po kanë guxim ta thyejnë këtë barrierë, që ta zhbllokojnë vendin, e ajo po e ka këtë guxim”, ka thënë Haraqija në Interaktiv të KTV-së.

Haraqija ka thënë se Teuta Rugova vendimet i merr vet, e pa ndikuar.

“Ajo e ka kaluar moshën 18 vjeçare dhe vendimet i merr vet”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk e di nëse postimin në Facebook e ka shkruar vetë apo ia shkroi dikush tjetër.

Haraqija - që është anëtar i LDK-së dhe që në Interaktiv të KTV-së e ka shprehur hapur dëshirën për afrim të qëndrimeve me PAN-in, përkundër vendimit të Kryesisë së partisë që të mos bëjë koalicion me PDK-në – ka thënë se përkrahja e familjes Rugova për PAN-in është pa kushte dhe pa përfitime personale.

“Edhe sot gjatë bisedës që është bërë aty nuk kam dëgjuar asnjë kusht nga familja Rugova. Teuta ka shprehur përkrahjen vetëm për hir të zhbllokimit të institucioneve”, ka thënë Haraqija.

Ai është pyetur edhe nëse vota eventuale e Teuta Rugovës pro PAN-it ka të bëjë me gjykimin ndaj vëllait të tij, Ukë Rugovës, me dyshimet për përfshirje në skandalin me viza italiane. Haraqija e ka mohuar se këto dy ngjarje kanë lidhje.