Arbëri

Haradinaj: SHBA-ja po e luan zjarrfikësin për sanimin e dëmeve të Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se njohja nga Serbia është në planin e Bashkimit Evropian për dialogun. Ai kërkon nga kryeministri Albin Kurti që t’i tregojë Kosovës a e pranon këtë plan, pasi deri më tani nuk ka dhënë një përgjigje definitive.

Në anën tjetër, lideri i AAK-së, konfirmoi pjesëmarrjen e partisë së tij në takimin e ftuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë për Asociacionin më 31 janar, por kritikon Kurtin se përmes qasjes së gabuar ka sjellë Asociacionin në qendër të marrëveshjes me Serbinë. Sipas tij, amerikanët po angazhohen në mënyrë strategjike që t’ia bëjë më të lehtë Kurtit ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Është njohja në dokument. Këtë dokument që e kemi para vetës është njohja e plotë në përmbajtje dhe substancë. E vetmja gjë që mungon është bilateralja, vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Pra Serbia e njeh Kosovën në planin ndërkombëtar, bashkëpunon me Kosovën si shtet i pavarur me të gjitha të drejtat e barabarta midis dy vendeve. Kjo na hap perspektivën për partneritet për paqe dhe ecim përpara. A duhet më shumë, ku me marrë më shumë, por jo me këtë njeri që po e kthen Kosovën secilin hap më prapa. Çdo ditë që vonohet unë besoj se pasojat do t’i rriten Kosovës. Është edhe de-jure në dokument, por gjuha është e përpunuar në dokument e tillë që Serbia me u nxjerr në një plan të brendshëm atje, por Kosova i merr ato që i duhen në planin ndërkombëtar”, tha ai për KosovaPress.

Haradinaj ka deklaruar se drafti i planit të BE-së për dialogun është i njëjti në tavolinë tash e sa kohë.

“S’ka ndryshime në draft fare, asnjë ndryshim s’ka. Ky draft është i njëjti që e ka Kurti që sa kohë, i njëjti është në tavolinë. Deklaratat e tij janë kapak konfuze, se dinë çka po thotë dhe i ndërron deklaratat çdo ditë. Nuk foli para tij, kërkoi që ai me na tregu neve si Kosovës a është duke vlerësuar këtë dokument, pasi Serbia po thotë i kam thënë po. Ku jemi ne, çka po ndodh me ne”, deklaroi ai.

Duke folur për takimin e ftuar nga Ambasada amerikane, ai thotë se qëllimi është që kryeministri Kurti t’i ikë fajësisë për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, SHBA po e bënë zjarrfikësin duke i sanuar dëmet që po i shkakton Kurti në planin strategjik të Kosovës.

“Kjo është veç një angazhim ta quaj strategjik që me ia bërë Kurtit më të lehtë që me përbi Asociacionin, me i ikë Kurti fajësisë me thënë ma bënë këta, ma bënë ata. Kurti është njeri i gabuar për Kosovën në këtë kohë, ai po i rrit pasojat për Kosovën. Amerika po e bënë zjarrfikësin, ata vetëm po mundohen të sanojnë dëmet e Kurtit. I sanoi në veri disa herë, po i sanon me politikën e tij të gabuar duke thirrë takimin tash për Asociacionin dhe të mundë të nxjerrë Kosovën me një farë fytyre në këtë proces. Ky po ia shkakton dëme të mëdha Kosovës të njëpasnjëshme në planin strategjik, pasi e ka sjell Kosovën në palë të papërgjegjshme”, theksoi ai.

Haradinaj kërkon edhe llogari nga Kurti pse e bëri Asociacionin qendër të marrëveshjes së planit të BE-së për dialogun.

“Ai duhet të jap llogari se pse ka shkuar kursit të gabuar në veri. Pse se ka sjellë planin amerikan për tabelat dhe pse nuk e ka lejuar amerikanët t’i ndihmojë Kurtit dhe Kosovës të arrihet marrëveshja në tema shumë më pozitive, pa u bë qendër e marrëveshjes Asociacioni. Tani duhet të jep llogari pse për Asociacionin dhe detyrat e tij takimin e bënë Ambasada e Amerikës, pse nuk e bënë ky. Pse nuk na thirrë Kurti me diskutu këtë temë, por na thirrë ambasada, ku merr pjesë Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe gjithë të tjerët. Çfarë shteti jemi kështu na dhe çfarë porosish japim. Pra e gjithë kjo çka po ndodh në Kosovë është rezultat i një agjende të tij kundër Kosovës. Agjenda e Kurtit kundër Kosovës i ka dhënë efektet e para me planin për tabela që dështoi, u tërheq në fund me marre, i ka dhënë efektet me fuqinë e barrikaduesve që ky nuk mundi t’i heq, por u desh me negociu dikush që me i largu ata dhe liru Pantiqin në mbrojte në liri. I jep efektet edhe tash kur Ambasada e Amerikës e thirrë një takim për një temë që është e tij dhe me njerëzit të qeverisë. Gjitha këto janë qasja e gabuar e tij dhe agjenda e gabuar e tij kundër Kosovës dhe shërbim të Serbisë dhe Rusisë”, shtoi Haradinaj.

Sipas Haradinajt, SHBA-ja nuk e do Asociacionin.

“Amerika nuk po e do Asociacionin, por e ka për Kosovën me ia mbulu budallakinat dhe humbjet që ia ka shkaktuar këtij në veri. Se ka për ngut Amerika Asociacionin, nuk po kërkon atë, por po kërkon qysh me kthyer një gjendje normale në vend, pasi ky tipi (Albin Kurti) nuk e dëgjoi”, theksoi Haradinaj.

Ndërkohë, Haradinaj akuzon Kurtin se po vepron kundër interesave vendore.

“Ky (Albin Kurti) jo që ka heq dorë, por ka qitë dorë në veprime kundër interesit të vendin të vet dhe sovranitetit në veri, rendit dhe ligjit, aleatëve, palëve që po na ndihmojnë. Ia ka bërë më të vështirë atyre që me forcu pozicionin përballë Serbisë. Ky jo që ka heq dorë, por është duke punuar intensivisht kundër vendit të vet”.

Ai ka shtuar se Kurti me veprimet e tij po e shkatërron ekonominë e vendit, ndërkohë që kabinetin qeveritar e quan “shtëpi budallë”.

“Është duke shkatërruar ekonominë e vendit. Të gjitha veprimet i ka kundër logjikës ekonomike në vend, si rezultat i kësaj po zbrazë edhe atë pak rini që e kemi në vend. E gjithë logjikën i ka kundër qytetarit të vendit, është kundër, atë që e kam thënë dikur një shtëpi budallë, por budallë të qëllimshëm. Pasi nuk besoj se këto janë rastësi, pasi budallak mundet me qenë një herë, por tash po shihet se këto janë të qëllimshme”, ka thënë ai.

Haradinaj kritika adresoi edhe për mos shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin thotë se afera e tij tregon fenomenin korruptues të Qeverisë Kurti.

“Rasti i skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, nuk është mirë të besohet që kjo kalon pa dëme ndërkombëtare. Ai është ambasador ende fuqiplotë i Kosovës, kryeministri s’e shkarkon, për të flitet në krejt mediat rajonale dhe më larg. Pastaj dhënia e certifikatës së sigurisë, i është dhënë nëntë ambasadorëve brenda 24 orëve, pastaj të gjitha ato para të tërhequra ‘cash’, pa treguar se ku janë shkuar. Këto flasin jo vetëm për një rast, por tregojnë fenomen. S’ka zyrtarë të lartë të kësaj qeverie që s’ka familjarë të punësuar diku ku ka tenderë dhe pare”, shtoi ai.

Ndërkohë, Haradinaj e konsideron opozitën më serioze në temat e interesit nacional.

“Opozita është duke bërë punën më mençëm dhe serioz se qeveria, pasi ajo është një lojtar i papërgjegjshëm realisht”, përfundoi ai./ KP