Arbëri

Haradinaj: Kurti po e ndihmon skenarin serb për dështimin e planit franko-gjerman

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti, po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale.

Ai u shpreh të hënën para mediave se Kosova e pati mundësinë që ta merrte njohjen e Serbisë, por kjo sipas Haradinajt, nuk u bë pasi Kurti “nuk e pezulloi vendimin për targat”.

“Në tetor në Prishtinë dhe në Beograd ka ardhur marrëveshja që në qendër ka pasur njohjen reciproke. Reagimi i Serbisë ishte mospajtim me këtë marrëveshje. Në nëntor, Qeveria ka vendosur ta zbatojë vendimin për targat në veri. Aleati ynë më besnik, SHBA-ja, duke e ditur skenarin e Serbisë që ka për qëllim dështimin e dialogut, i ka kërkuar Kurtit ta pezullojë këtë vendim deri në marrëveshje, që ta mbajë presionin në Beograd e në Serbi”, tha Haradinaj.

Sipas deputetit opozitar, Kurti ka vendosur të mos ecë në rrugën e SHBA-së, e sipas tij, kjo rrugë është e paqartë.

“Serbia me aparatin e saj ka arritur t’i nxjerrë sot jashtë funksionit institucionet e Kosovës në veri. E ka lënë Kosovën pa përfaqësim institucional në veri. Sot i kërkohet Kosovës jo vetëm pezullimi i vendimit për targat, por edhe Asociacioni. Demagogët e kanë kthyer procesin nga marrëveshja, në kthimin e serbëve në institucione, që ishte kryer vite më parë”, tha ai.

Haradinaj e përsëriti në këtë konferencë se nga ajo që ka parë në planin e propozuar nga Franca dhe Gjermania, Kosova do ta merr njohjen e Serbisë. Ky plan franko-gjerman, që ishte propozim i marrëveshjes finale, ishte cilësuar pozitivë.