Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka demonizuar Kosovën C, e cila sipas tij, në vitin 2008 duhej të fillonte të ndërtohej e përmes saj do t’ia siguronte vendit 2200 megavat energji.
Ai ka shkruar se ata demonizuan dhe e bënë të qartë se nuk e përkrahin as Kosovën e Re që vitin e ardhshëm do t'i jepte Kosovës 500 megavat energji.
“Si me pas ardh prej Marsit këtë vit dhe me gjetë këtë gjendje të rëndë energjetike. Qe 11 vjet Lëvizja Vetëvendosje është parti parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qe 17 vjet në mënyrë aktive funksionon si organizatë politike. Gjatë gjithë ekzistencës politike të Kurtit dhe të organizatës së tij kurrë nuk kanë ndaluar të fyejnë, shajnë e demonizojnë çdo projekt energjetik që ka ekzistu në Kosovë. Në cilësinë e mashtruesit shitet si i vetmi person që ka qenë kundër shitjes së distribucionit, e harron se shumica e partive politike kanë qenë po ashtu kundër”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se distribucioni i Kosovës u shit nga partia më e madhe e kohës e asistuar nga njerëz që sot gjejnë strehë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe na shesin moral për interesat nacionale.
“Kosova është vendi i vetëm në botë që ka resurse energjetike por ka dhe krizë energjetike. Qasja e Albin Kurtit si protagonist global i mjerë, në tendencë në luftën kundër korporatave dhe globalizimit, e ka vulën e vet në krizën energjetike të Kosovës. Kanë qenë korporatat ato që do ta shndërronin Kosovën në fuqi energjetike por fatkeqësisht këto nuk janë në përputhje me ideologjinë e Kurtit”, ka shkruar ai.