E marta mund të jetë vendimtare se a do të vazhdojë të mbetet në fuqi apo jo taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Kjo mund të merret vesh pas një takimi të kryeparlamentarit dhe kryeministrit me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, raporton KTV.
Administrata amerikane, përmes ambasadorit Kosnett, i ka kërkuar Haradinajt heqjen e kësaj mase ndaj produkteve serbe.
Ndërkaq, shenja të zbutjes së qëndrimit për taksën ka dhënë sërish kryeministri Ramush Haradinaj.
I pyetur nga KTV-ja se a më parë do të pranonte të rrëzohej Qeveria apo do ta tërhiqte vendimin për taksën, Haradinaj ka folur për borën.
Derisa koalicioni qeverisës ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për taksën, presidenti Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Qeveria që të mos vihen pengesa në dialogun me Serbinë.
Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka pasur qëndrim për taksën në një linjë me presidentin Thaçi, ka thënë se edhe Qeveria do të bjerë, dhe se taksa do të suspendohet.
Saktësisht, dy muaj më parë, Qeveria mori vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës.
Pas këtij vendimi, në vazhdimësi ka pasur presione ndërkombëtare për tërheqjen e saj.