Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj pas marrëveshjes me AKR-në: Më në fund Kosova u nis

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka nënshkruar marrëveshjen për t’iu bashkuar koalicionit PAN për të formuar qeverinë e ardhshme, të cilën marrëveshje e nënshkroi me tre udhëheqësit e PAN-it, kreun e PDK-së, Kadri Veseli, atë të AKR-së, Ramush Haradinaj dhe të Nismës, Fatmir Limaj.

Marrëveshja është nënshkruar në rezidencën e Pacollit në Hajvali, ku para zgjedhjeve të 11 qershorit Pacolli kishte nënshkrua koalicionin parazgjedhor me LDK-në.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i PDK-së, Kadri Vesli ka thënë se brenda pak ditësh do t’i formojnë institucionet e vendit.

“Ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari, është vullnet i qytetarëve, i dal në zgjedhjet e 11 qershorit”, tha Veseli, raporton “Arbresh.info”.

Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes, që PAN-it t’i bashkohet edhe AKR, theksoi që ai shumë shpejt do të jetë kryeministër i vendit.

“Ky bashkim i mundëson Kosovës një nismë shumë të nevojshme. Është një periudhë para nesh, jo e lehtë, jam i vetëdijshëm, por së bashku të gjithë do t’ia dalim. Më në fund Kosova u nis”, tha Haradinaj, i cili ka falënderuar Pacollin që i është bashkuar PAN-it.

Kreu i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj tha se nga sot AKR po i bashkohet vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

“Ky koalicion është vullneti i qytetarëve të Kosovës”, tha dhe shtoi se AKR ka qenë partia më e duhur për t’iu bashku koalicionit.

Ndërsa Pacolli tha se qytetari dhe shtetndërtimi i Kosovës ka qenë interesi i cili ka bërë që AKR të nënshkruajë sot me PAN-in marrëveshjen për të qeverisur me vendin.

“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Jam i bindur se do të kemi harmoni me kryeministrin Haradinaj”, është shprehur Pacolli pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas tij, ky koalicion dëshmon fuqinë për të sfiduar problemet që ka përpara Kosova.