Behgjet Pacolli priste t’i përfundonte mandati presidentit Hashim Thaçi, për t’u ngjitur vet në majë të pushtetit. Ishte ky premtim i shkruar, që ia kishte dhënë koalicioni PAN.
Pas një muaji bllokade në procesin e konstituimit të institucioneve të reja, dy vite më parë ky koalicion pati lidhur marrëveshje partneriteti qeverisës me AKR-në e biznesmenit Pacolli, subjekt ky që në zgjedhjet e qershorit të 2017-s kishte garuar në koalicion me LDK-në. AKR-ja i kishte katër deputetë, por pavarësisht se zinte vetëm 3 për qind të ulëseve në Kuvend, nëpërmjet marrëveshjes me PAN-in kishte mbërritur të siguronte çerekun e posteve në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Këtë hise e kishte siguruar nga shkaku se, vetëm me ta, PAN-i pati mbërritur ta siguronte shumicën.
Marrëveshja e koalicionit fliste edhe për hisen shtesë në pushtet që do ta merrte AKR-ja, në fund të mandatit katër-vjeçar.
“PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takoj AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në Parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejt nga populli”, thuhej mes tjerash në marrëveshjen e koalicionit, e cila nuk ka ndonjë paragraf që flet për parimet dhe objektivat e qeverisë. “Kështu, partitë që përbëjnë koalicionin PAN dakordohen që të mos kenë kandidat të tyre për president të vendit duke u obliguar që ta mbështesin kandidatin e AKR-së”.
Thaçi është zgjedhur President në fillim të 2016-s dhe, bazuar në Kushtetutë, mandati i përfundon në fillim të 2021-s. Kësisoj, zgjedhja e presidentit të ri do të bëhej brenda mandatit të rregullt të Qeverisë, sikur Haradinaj të mos dorëhiqej. Kësisoj, me dorëheqjen e tij, e për pasojë edhe me shpërndarjen e Kuvendit që imponon zgjedhje të parakohshme, bie në ujë edhe “premtimi i shkruar” koalicionit PAN, për ta bërë Pacollin president, me ta kryer mandatin Thaçi.