Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se deputeti i LVV-së, Dimal Basha nuk është preferencë e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ai shtoi se ende s’kanë vendosur nëse do të votojnë për nëse i njëjti propozohet sërish në seancën e sotme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj, duke hyrë në objektin e Kuvendit, pak para vazhdimit të seancës konstituive për herë të 58-të, tha se preferencë e tyre për kryeparlamentar është deputeti tjetër i LVV-së, Glauk Konjufca.
Sipas tij, profili i kryekuvendarit duhet të gëzojë autoritet dhe respekt tek të gjithë deputetët, mirëpo siç tha nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin dhe niveli i tyre mundet me qenë ky, atëherë mund t’ia japin votën edhe atij.
“Ne kemi preferencë. Kishim preferuar Glaukun dhe i kemi përmend edhe preferencat tona. Tani të shohim, por Dimali nuk është preferenca jonë, megjithatë të shohim...Ka edhe shumë të tjerë, mos t’i përmendi pasi shkaktojmë irritim brenda tyre. Ka plot, mund t’ia japim votën edhe Dimalit, por mendoj se LVV-ja ka edhe opsione të tjera...Nuk e di, pasi ende s’kemi vendos. Kam ardh më herët dhe tani do të sqarojmë....Profili i atij që udhëheq me Kuvendin mirë është me qenë dikush që gëzon autoritetin dhe respektin të plotëve...Nëse LVV-ja e ka më të mirin Dimalin, ky është niveli i tyre mundet edhe ky”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar edhe pas gjashtë muajsh prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Pesë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, kanë dështuar të marrin shumicën e mjaftueshme për t’u bërë kryeparlamentar.
Në tri seanca të mbajtura deri tash pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin, Arbërie Nagavcin e Dimal Bashën.
Vetëm votimi i fundit, ai për Bashën, nxiti reagime më shumë për shkak të zotimit të Partisë Demokratike se do të votonte për deputetë që nuk kanë qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë Kurti. E në votimin për Bashën kjo parti abstenoi.
Në arsyetimin pas seancës, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se kanë kërkuar pauzë për t’u konsultuar për ta votuar Bashën. Nga Lëvizja Vetëvendosje kjo u cilësua si “shpërfaqje” që PDK-ja nuk e ka pasur problemin me emra, por se “nuk e do konstituimin e Kuvendit”./KosovaPress
