Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Kurti doli nga kontrata politike me NATO-n

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “ka dalë nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”.

Ai ka shkruar në Facebook të hënën se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë është bazë e sigurisë e rajonale, duke shtuar se “sa më afër NATO-s, jemi më të lirë”.

“Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurt, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë. E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për Qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalë nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, ka thënë Haradinaj.

Të hënën u përurua baza ajrore e NATO-s në Kuçovë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kjo bazë është element sigurie për Ballkanin Perëndimor.