Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Kosova përjetë mirënjohëse ndaj SHBA-së

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar shtetin amerikan me rastin e 242 vjetorit të Pavarësisë, duke kujtuar se populli i Kosovës është përjetë mirënjohës ndaj SHBA-ve për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi.

“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjellë urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka shtuar se Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë”, ka shtuar ai.

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan.