Arbëri

SHBA-ja feston 247-vjetorin e Pavarësisë, Kosova e uron

Flamujet e SHBA-se dhe Kosoves

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve.

Osmani uron SHBA-në për pavarësinë: Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Ditën e Pavarësisë, duke uruar që partneriteti mes dy vendeve të vazhdojë të jetë i palëkundur.

Osmani në një cicërimë në Twitter ka thënë se amerikanët dhe shqiptarët kanë vlera dhe ideale të përbashkëta.

“Gëzuar 4 korrikun për Bidenin, miqtë dhe aleatët tanë amerikanë! Sot, ne bashkohemi me ju për të festuar kombin tuaj të madh dhe idealet e vlerat për të cilat rreh zemra e çdo amerikani dhe çdo kosovari. Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur!”, ka shkruar ajo.


Kurti uron SHBA-në: Vlerat e përbashkëta përbëjnë themelin e aleancës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, uroi për përvjetorin e pavarësisë së SHBA-së, duke thënë se Deklarata është një nga vizionet “më të fuqishme të lirisë dhe barazisë të njohura në botë”.

Ai shkroi në Twitter të martën se vlerat e përbashkëta përbëjnë themelin e aleancës së kombeve.

“Ashtu si ai vizion që është i përjetshëm, ashtu është edhe aleanca. Gëzuar 4 korrikun”, thuhet në mesazhin e tij.


Krasniqi: Përpjekjet për liri e pavarësi u finalizuan me ndihmën e SHBA-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar Ditën e Pavarësisë së Amerikës.

Ai ka shkruar në Facebook se në shënimin e 247- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i rikujtojnë fjalët e etërve themelues të këtij shteti dhe parimet për të cilat ata qëndronin, për një komb të bashkuar, të drejtë dhe të lirë.

“Këto vlera, mbi të cilat është fuqizuar SHBA – vendi që është fanar dhe garantues i demokracisë në botë, njëkohësisht vendi më mik i Kosovës, shërbejnë si udhërrëfyes për paqe dhe barazi kudo në botën demokratike. Përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi u finalizuan suksesshëm me ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve. Me diplomaci të përkushtuar, politikë të vendosur dhe angazhim të vazhdueshëm, SHBA-të u bënë zëri i drejtësisë për popullin e Kosovës. Para, gjatë dhe pas luftës për liri. Edhe sot e kësaj dite! PDK mbetet tejet e përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e miqësisë dhe aleancës së shenjtë mes popujve dhe shteteve tona. Gëzuar 4 Korrikun”, ka shkruar ai.


Haradinaj uron pavarësinë e Amerikës, kërkon që 4 korriku të shpallet festë shtetërore

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Haradinaj, në urimin e tij ka publikuar një fotografi të selisë qendrore të AAK-së, me flamurin amerikan i vendosur në ballë të saj. Ndër të tjera, Haradinaj theksoi se do të ishte nder për Kosovën që 4 korriku, Dita e Pavarësisë së Amerikës të shpallet festë shtetërore.

"Amerikë, urime ditëlindjen! Je gjithmonë inspirim për ne. Do të ishte në nderin e Kosovës që 4 Korriku të shpallet festë shtetërore", ka shkruar ai.

Image