Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj kërkon lehtësim të masave në prag të ardhjes së mërgatës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë të lehtësojë masat antiCOVID në prag të ardhjes së mërgatës.

Haradinaj ka propozuar masa të reja, si: 1.Heqjen e plotë të ndalimit të qarkullimit; 2.Heqjen e kufizimeve të orarit të punës së gastronomisë; 3.Heqjen e kufizimeve të aktiviteteve për organizimin e eventeve, përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave.

“Në Bashkimin Evropian dhe SHBA, ku ndodhet shumica dërmuese e mërgatës sonë, vaksinimi po shkon drejt përmbylljes. Që nga muaji qershor, fillojnë edhe pushimet e fëmijëve nga shkollat, kështu që nga qershori e deri në shtator, mund të presim ardhjen e bashkëkombësve tanë në atdhe. Kosova duhet të jetë e përgatitur për ardhjen e familjarëve tonë. Shumica dërmuese e tyre do të jenë të vaksinuar kundër Covid-19, andaj, qëndrimi i tyre në vendlindje, duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe nga Kosova, ata duhet të kthehen me kujtimet më të mira. Për këtë arsye, Aleanca i propozon Qeverisë së Kosovës, masat me sa vijon: 1.Heqjen e plotë të ndalimit të qarkullimit; 2.Heqjen e kufizimeve të orarit të punës së gastronomisë; 3.Heqjen e kufizimeve të aktiviteteve për organizimin e eventeve, përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave. Këto masa, duhet të përcjellën me rregulla të reja për kujdes të shtuar shëndetësor si dhe monitorim më rigoroz përmes organeve përkatëse qeveritare e komunale. Një qasje e tillë do të ndryshonte për të mirë edhe treguesit ekonomikë, në mungesë të instrumenteve të tjerë financiarë. Mërgimtarët si gjithherë, ashtu edhe nëse iu ofrohen kushte të mira për ardhjen e tyre në Atdhe, do të jenë infuzion i mirëpritur dhe i domosdoshëm për ekonominë tonë që gjendet në krizë të thellë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.