Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Kam provuar ta këshilloj kryeministrin, por nuk e ka kuptuar rëndësinë e rolit amerikan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se lidershipi i vendit ka dështuar ta kuptojë rëndësinë e rolit amerikan.

Haradinaj gjatë një vizite të premten në Drenas, ka theksuar se e ka këshilluar shumë herë kryeministrin Albin Kurti për rolin e rëndësishëm të SHBA-së karshi vendit tonë.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shtete të respektuara, ka institucionet dhe ushtrinë e vet. Në këtë fazë ne kemi mundësinë që të përfundojmë marrëveshjen për njohje reciproke me Serbinë, që do t’i hapte vendit tonë rrugën për antarësim në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Edhepse shumë herë kam provuar ta këshilloj kryeministrin, lidershipi i vendit tonë ka dështuar ta kuptojë rëndësinë e rolit amerikan në këtë proces”, ka njoftuar Haradinaj në Facebook.

Përveç çështjes së politikës së jashtme, Haradinaj ka thënë se është i shqetësuar edhe për paaftësinë dhe dështimet e Qeverisë në sferën ekonomike dhe energjetike.