Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti se po mundohen ta zgjidhin çështjen e krizës energjetike “duke naviguar në internet”. Duke i kërkuar veprime, Haradinaj i ka çuar një mesazh kryeministrit. “Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut!” thuhet në shkrimin e tij të dërguar për media të enjten.
Në shkrimin e tij, Haradinaj ka kujtuar kohën kur më 2017 si kryeministër pati vendosur për shpronësimin e pronave në Shipitullë. Ka thënë se pati kaluar javë të tëra në KEK e me banorët e zonës, për të gjetur zgjidhje.
Sipas tij, po që se s’do të bëhej shpronësimi i më shumë se 50 hektarëve, që thotë se u përllogarit se kushtonin 20 milionë euro, Kosova do të duhej të paguante mbi 150 milionë euro për blerje të energjisë.
“Kështu duke analizuar përfitimet e rreziqet, vendimi im i parë si Kryeministër ishte që të shpronësoheshin banorët, që KEK-u të rikthehej në prodhim me mbi 900 megavatë, që të mos shtrenjtohej rryma dhe që Kosova t’i shpëtonte rreth 150 milionë euro”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka kujtuar këshillën që ia pati dhenë kryeministrit Kurti më parë “që ministrat të mërdhihen në KEK”.
Edhe
Haradinaj: Kurti shpenzon më së shumti para duke i ushqyer 'zagarët' që fyejnë shqiptarët
“Duke e parë se situata elektro-energjetike edhe sot është e rëndë dhe mund të shkojë drejt kolapsit total, i pata kërkuar kryeministrit: që ministrat e tij të kalojnë më shumë orë pune në KEK, që të ‘mërdhijnë’ duke kërkuar zgjidhje; që ta rishikojë projektin e Kosovës së Re; që ta rishikojë projektin e gazsjellësit Shkup-Prishtinë; që të bëjnë marrëveshje për blerje të energjisë sa nuk është bërë tepër vonë… Por nga gjithë këto e masa të tjera emergjente e afatgjate për përballjen e kolapsit të mundshëm energjetik, ai e ministrat e tij kanë vendosur që të navigojnë në internet dhe të gjejnë modele të kursimit të energjisë, e t’ia kalojnë popullit për t’i lexuar. Dhe natyrisht të mos harrojnë të na thonë se ‘Ky dimër do të jetë i rëndë’!” ka shkruar Haradinaj.
“Plaga energjetike e Kosovës, që kullon, nuk shërohet me këshilla nga interneti, por me vendime të mëdha të Kryeministrit. Luaj nga vendi Albin Kurti, mos u tut!” ka përfunduar shkrimin ai.
-
Haradinaj: Gjendja me rrymën alarmante, investimi në kapacitete të reja është urgjent
-
Haradinaj: Kosova ka nevojë për rrymë të sigurt, të qëndrueshme dhe të përballueshme
-
Haradinaj: Ne e trajtuam energjinë si çështje të sigurisë kombëtare
-
Haradinaj: Gjatë qeverisjes sime u dëshmua se energjia nuk negociohet