Pas vendimit që më 19 maj të mbahen zgjedhjet komunale në komunat e veriut, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar subjektet politike që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese duke marrë pjesë në këto zgjedhje.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka ftuar edhe qytetarët që të dalin e të votojnë. Në fund ai ka bërë thirrje për zgjedhje të lira e demokratike.
Sot presidenti Hashim Thaçi vendosi që më 19 maj të mbahen zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Nga këto komuna, kryetarët ishin dorëhequr më 27 nëntor të vitit të shkuar, pas vendosjes së taksës nga Kosova ndaj mallrave të Serbisë. Të gjitha këto komuna udhëhiqeshin nga Lista Serbe.
Ky është postimi i Haradinajt:
Pas vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, për shpalljen e zgjedhjeve në Komunat e Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, dhe Mitrovicë e Veriut, ftoj subjektet politike të cilat garojnë në zgjedhjet e 19 Majit 2019, ta shfrytësojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke marrë pjesë në këto zgjedhje.
Edhe
Haradinaj: Zgjedhjet në veri konfirmojnë përpjekjet për paqe të qëndrueshme
Gjithashtu ftoj qytetarët e këtyre Komunave për të dalë në këto zgjedhje dhe të votojnë kandidatët më të mirë, që do të punojnë në të mirën e qytetarëve të këtyre komunave.
Bëj thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet tona dhe standardet më të larta demokratike ndërkombëtare.