Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krerët opozitarë urojnë Fitër Bajramin me mesazh për paqe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët për festën e Fitër Bajramit.

“Uroj që zoti të ju ketë pranuar agjërimin e Ramazanit, lutjet dhe veprat e mira. Kjo ditë e veçantë, shpresoj të ju sjellë paqe, dashuri dhe shumë lumturi në mesin tuaj. Sot, le të vlerësojmë bekimet e shumta që na janë dhuruar dhe të reflektojmë mbi thelbin e vërtetë të kësaj dite - rëndësinë e solidaritetit, kujdesit, harmonisë dhe unitetit mes njerëzve”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se uron që kjo festë të ju mbushë zemrat me ngrohtësi dhe të ju frymëzojë që të përhapni mirësi dhe pozitivitet kudo që jeni e që shkoni. “Bajram të bekuar për ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar agjërim të pranuar pas një muaji sakrifice.

“Festa e Fitër Bajramit i kurorëzon përpjekjet e të gjithë atyre që besojnë në Krijuesin; që kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, e që ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë. Le të vazhdojmë të forcojmë edhe më tej këtë ndjenjë që muaji i shenjtë dhe festa e Fitër Bajramit na mësojnë. Atë të solidaritetit, të harmonisë e të kujdesit ndaj tjetrit. Në veçanti, le të kujdesemi ndaj atyre në nevojë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Haradinaj ka shkruar se kjo nuk është thjesht festë fetare, por ditë e mirësisë, faljes dhe solidaritetit.

“Festa e Fitër Bajramit nuk është thjeshtë një festë fetare. Është një ditë që na përkujton edhe njëherë rëndësinë e mirësisë, faljes, dhe solidaritetit. Na përkujton se sa e rëndësishme është t'i mbajmë zemrat e pastërta dhe t'i hapim krahët atyre që kanë nevojë. Uroj që ky mesazh të përcillet gjeneratë pas gjenerate, duke ndarë të mirën dhe duke dëshmuar humanizmin, si vlerë e jona e patjetërsueshme”, ka shkruar Haradinaj.

 

 

Artikuj të ngjashëm