Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hapja e aeroportit dhe pishinave, varësisht nga gjendja epidemiologjike

Ministria e Shëndetëisë po përgatit manualin me udhëzime për veprimtaritë e lejuara, teksa hapja e veprimtarive të reja do të varet nga situata epidemiologjike, ka thënë të marten ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat e klubet e natës, duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikatorë matës ku kontributin kryesor duhet ta japë IKSHPK-ja, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në takimin e Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

Ai ka kërkuar po ashtu që institucionet mbikëqyrëse për zbatimin e masave të Qeverisë të jenë sa më të pranishme me inspektime në veprimtaritë e lejuara.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë ka filluar të rritet. 105 raste të reja janë raportuar vetëm gjatë tri ditëve të fundit.

Zemaj e ka kryesuar të marten takimin e Komitetit për menaxhim të pandemisë. Gjatë këtij takimi kanë raportuar përfaqësues të të gjitha institucioneve.

Edhe Zemaj: Do të shtohet mbikëqyrja, situata me koronavirus është nën kontroll Arbëri Zemaj: Do të shtohet mbikëqyrja, situata me koronavirus është nën kontroll

“Sot jemi në një situatë tjetër, atë të zbatimit të fazës së tretë të hapjes graduale ekonomike, e cila kërkon rivlerësimin edhe të disa veprimtarive të cilat presin për t’u liruar. Kjo fazë, siç edhe është vërejtur, bart në vete rrezikun e përhapjes së mëtejme të virusit, pas një periudhe relativisht pozitive kur rastet me COVID-19 kishin rënë pothuajse në nivelin më të ulët”, ka thënë ai.

Zemaj po ashtu ka theksuar se për Qeverinë, prioritet mbetet luftimi i pandemisë. Ka kërkuar prej institucioneve që t’i vazhdojnë aktivitetet për menaxhimin e gjendjes.