Është hapur Ambasada e Kosovës në Kuala Lumpur të Malajzisë.
Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar këtë si mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë ndërshtetëror.
“Sot hapëm Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi. Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë. Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi. Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, në konferencën për media me presidenten Osmani ka thënë se ambasada do të lehtësojë raportet mes dy shteteve.
“Ambasada e Kosovës në Kuala Lumpur është me të vërtetë një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe kjo sigurisht që do të lehtësojë tregtinë, investimet, arsimin, kulturën, turizmin mes dy vendeve tona që përfshin, natyrisht, produktet hallall, sepse certifikimi i halalit në Malajzi njihet ndërkombëtarisht dhe gjithashtu të lehtësojmë eksportin e produkteve tona, eksportin e produkteve nga Kosova. Por më kritike, bashkëpunimi ndërmjet tregtisë, investimeve, në mënyrë që të shfrytëzojmë fuqinë e Kosovës dhe marrëdhëniet e tyre të forta me BE-në”, ka thënë ai.
Malajzia po ashtu ditë më parë ka hequr edhe vizat për qytetarët e Kosovës.
Osmani po qëndron që dy ditë në Malajzi. Ajo ka falënderuar kryeministrin Anwar Ibrahim për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare duke thënë se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe në platformat e mëtejshme rajonale si ASEAN.
Osmani ka dekoruar kryeministrin Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e vazhdueshëm të Malajzisë për lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.